Pamje nga Saranda ( foto shqiptarja.com)
Një nga pikat më tërheqëse të Shqipërisë është bregdeti i saj i pasur me plazhe të kristalta dhe të pacenuara. Riviera Shqiptare, që shtrihet përgjatë bregut të detit Jon, është kthyer në një destinacion kryesor për ata që kërkojnë pushime verore në natyrën e egër dhe autentike.
Plazhet e Ksamilit, Himarës, Dhërmiut dhe Jalës ofrojnë pamje të jashtëzakonshme dhe ujëra të pastër kristal, që rivalizojnë destinacionet më të njohura në Mesdhe. Ndërkohë, në 2024 pati një zhvillim të mëtejshëm të infrastrukturës, duke përfshirë shtimin e resorteve luksoze dhe hapjen e më shumë restoranteve dhe bareve bregdetare për të plotësuar kërkesat e turistëve modernë.
Shqipëria është një vend i pasur me histori që daton prej mijëra vjetësh. Gjatë 2024, shumë qytete historike ishin në qendër të vëmendjes për vizitorët që duan të zbulojnë kulturën dhe trashëgiminë e saj të lashtë. Qytete si Berati dhe Gjirokastra, të cilat janë të listuara në UNESCO, ofrojnë një kombinim të arkitekturës unike dhe historisë së gjatë, duke i bërë tërheqëse për turistët e huaj që kërkojnë përvoja autentike.
Pamje nga Gjirokastra ( foto argjiroja.net)
Kështjella e Rozafës në Shkodër dhe Butrinti, një nga qytetet më të lashta arkeologjike në rajon, ofrojnë gjithashtu një pasqyrë të thellë të historisë antike të Shqipërisë. Për më tepër, gjatë 2024 pati festivale kulturore dhe artistike, si dhe ngjarje që promovojnë traditat lokale, muzikën dhe artin, duke u dhënë turistëve një përvojë të pasur shpirtërore.
Një nga prirjet e reja në industrinë e turizmit global është rritja e interesit për turizmin ekologjik dhe të qëndrueshëm. Shqipëria është e bekuar me natyrë të egër dhe malore që ofron një mjedis ideal për të apasionuarit pas aventurave në natyrë.
Alpet Shqiptare dhe Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës janë destinacione të preferuara për ecje në natyrë, kamping dhe alpinizëm. Shumë turistë zgjedhin të eksplorojnë shtigjet malore të Shqipërisë, duke përjetuar pamje spektakolare dhe ajër të pastër. Në 2024, investimet në infrastrukturën turistike malore pritet të sjellin më shumë lehtësira për aventurierët, duke përfshirë ndërtimin e kabinave dhe shtigjeve të reja për shëtitje.
Një nga aspektet më të veçanta të Shqipërisë që tërheq gjithnjë e më shumë turistë është kuzhina e saj tradicionale dhe verërat lokale.
Verërat e prodhuara në rajonin e Beratit dhe Shkodrës janë duke marrë vlerësime ndërkombëtare, duke u bërë një nga pikat kyçe për të apasionuarit pas verës. Gjithashtu, ushqimi shqiptar, i cili kombinon shije të Mesdheut dhe të Ballkanit, ofron një përvojë unike për të gjithë vizitorët. Restorantet lokale ofrojnë pjata si tava e kosi, fërgesa dhe byrek, që pasqyrojnë traditat kulinare të vendit.
Isa Krasniqi ekspert turizmi / foto personale
CMG: Si paraqitet turizmi i vitit 2024 në Shqipëri ?
Isa Krasniqi: Ka qenë një vit me prurje të lartë turistike. Shqipëria është një destinacion që përzgjidhet si një vend për t’u vizituara nga të huajt. Shifrat flasin me shumë se fjalët dhe unë si ekspert turizmi e shoh vendin tonë në hapa dinjitoze drejt një turizmi të qëndrueshëm. Viti 2024, tregoi që ne kemi kapacitete për të përballuar fluksin pavarësisht momenteve apo gjërave të vogla që si vend i vogël normalisht i kemi, por edhe ato do të vijnë në përmirësim nga njëri vit në tjetrin.
CMG: Turizmi në Shqipëri, është turizëm për të vizituar vendin apo turistët kanë kuriozitete të tjera ?
Isa Krasniqi: Nëse i referohemi vitit 2024, turizmi ka qenë i ndërthurur. Pra ka pasur qëllim për të vizituar vendin padiskutim dhe qëllimi primar ndoshta është ky. Nuk duhet të anashkalojmë edhe ardhjet që janë për të bërë biznes, për të takuar njerëz, apo për të shijuar kulinarinë tonë.
CMG: Si e kanë suportuar mediat ndërkombëtare zhvillimin e turizmit në vend?
Isa Krasniqi: Mediat, kryesisht ato italiane, kanë dhënë një suport të konsiderueshëm në atë që ne jemi dhe ofrojmë. Kanë nxjerrë në pah vlerat tona dhe kjo është diçka shumë e mirë që i bëhet vendeve fqinje me njëra-tjetrën.
CMG: Ju jeni edhe sipërmarrës në shitje dhe blerje pronash, gjatë këtij viti turistët kanë pasur qëllimin për ta vizituar Shqipërinë apo dhe për të blerë prona?
Isa Krasniqi: Janë disa zona që turistët i kanë cilësuar si të përshtatshme jo vetëm për të pushuar, por edhe për të jetuar. Një nga zonat më të frekuentuara dhe preferuara për të jetuar është Golemi. Ajo zonë gjithmonë ka pasur blerje pronash nga turistë të huaj. Padiskutim që edhe Tirana, si metropol e zgjedhin për efektin që ka për të zgjeruar mardhëniet ndërmjet bizneseve të ndryshme.
CMG: A janë turistët që vijnë në Shqipëri të qëndrueshëm? Në eksperiencën tuaj i janë rikthyer sërish Shqipërisë?
Isa Krasniqi: Këtë vit patëm një rritje të konsiderueshme të turistëve dhe nuk arrijmë dot të bëjmë vlerësime, por mund të themi se të njëjtat shtete që kanë qenë në 2023, janë sërish në listën e ardhjeve në vend madje janë shumëfish ndaj patjetër mund të merret si faktor vlerësues për ardhjet e turistëve në vend. Turistët i rikthehen Shqipërisë dhe kjo për shumë faktorë.
Intervistoi :Megi Latifi
Isa Krasniqi ekspert turizmi / foto personale