Samiti për agroushqimin në Tiranë, Jehle: Bujqësia e qëndrueshme ndihmon në përballimin e krizave
2024-10-23 11:19:43

Raimund Jehle (Foto Fao.org)

Samiti rajonal parlamentar, me temë “Rruga drejt sistemeve gjithëpërfshirëse dhe fleksible agroushqimore në rajon”, çeli punimet në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 22 vendet e rajonit, duke dëshmuar rëndësinë dhe angazhimin për zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme.

Duke marrë fjalën në këtë samit, Raimund Jehle, përfaqësues i Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO), tha se krizat e shumta që prekin rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore, si dhe sfidat botërore si ndryshimet klimatike, humbja e biodiversitetit dhe ndotja e mjedisit, ndikojnë ndjeshëm në transformimin e sistemeve agroushqimore.

Në këtë konteks, nënvizoi ai, vlerësimi i situatës lidhur me sistemet agroushqimore në rajon tregon se ato po dështojnë në nivele të shumëfishta, citon “ATSH”.

“Arritja e sigurimit ushqimor, të ushqyerit dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ-ve) deri në vitin 2030 kërkojnë një sërë veprimesh të bashkërenduara në disa fronte: politika dhe programe koherente, rritje të financimit dhe investimeve në përputhje me përparësitë dhe kërkesat kombëtare për bashkëpunim më të madh në sektorë të ndryshëm dhe me palë të ndryshme interesi”, - u shpreh Jehle.

Ai theksoi rolin e organeve ekzekutive të qeverive në lehtësimin e zbatimit, përmes institucioneve dhe rrjeteve të tyre.

Ky samit,vijoi ai, i shërben shkëmbimit të pikëpamjeve dhe njohurive mbi gjendjen e sistemeve agroushqimore dhe nxit rolin e Parlamentit dhe më konkretisht rolin e Komisioneve të Bujqësisë në trajtimin dhe reagimin ndaj krizave dhe sfidave që prekin ose mund të nxisin transformimin e sistemeve ushqimore, me qëllim përfshirjen e qasjeve dhe përgjigjeve novatore që përmirësojnë qëndrueshmërinë.