Donald Tusk (Foto Msn)
Kryeministri polak, Donald Tusk, deklaroi se nuk është arritur asnjë konsensus midis liderëve të BE-së se si të vlerësohet plani i fitores i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i paraqitur në Bruksel, njofton “RTSH”.
Sipas Tusk, plani do të rivlerësohet pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Plani i Zelenskyt përmban pesë pika kryesore: sigurimin e një ftese për në NATO, forcimin e aftësive mbrojtëse të Ukrainës, zbatimin e një strategjie për të penguar agresionin rus, rritjen e potencialit ekonomik dhe strategjik të Ukrainës, si dhe aplikimin e përvojës së Ukrainës gjatë konfliktit në mbrojtjen europiane.
Disa aspekte konfidenciale të planit janë ndarë vetëm me aleatët e zgjedhur perëndimorë.
Tusk vuri në dukje se nuk është befasuese që liderët e BE-së kanë pikëpamje të ndryshme mbi planin, veçanërisht në lidhje me anëtarësimin e Ukrainës në NATO, që është pika e parë e propozimit.
“Për momentin, jemi duke pritur rezultatet e zgjedhjeve në SHBA dhe askush nuk e fsheh këtë”,- tha Tusk, duke shtuar se strategjitë e Zelenskyt ka gjasa të rivlerësohen pas zgjedhjeve në SHBA.
Më herët, Zelensky dhe Donald Tusk nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e sigurisë midis Ukrainës dhe Polonisë.