Izraeli godet bankat e Hezbollahut në Liban
2024-10-22 11:13:33

Sulmet e Izraelit ne Liban (Foto Rtsh)

Izraeli ka kryer më shumë sulme ajrore në Bejrut dhe Libanin jugor, përfshi këtu degët e shoqërisë së bankës “Al-Qard Al-Hassan”, njofton “RTSH”.

Shpërthime u dëgjuan në lagjen “Dahieh” të Bejrutit jugor, një zonë e kontrolluar nga Hezbollahu, si dhe në Luginën Bekaa dhe Libanin jugor. Nga shpërthimet janë shkaktuar viktima dhe dëme.

Ushtria izraelite e paralajmëroi më herët sulmin në mbi 20 zona në Liban, duke përfshirë 14 në kryeqytetin Bejrut.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) gjithashtu njoftuan se do të synonin bankat dhe infrastrukturën financiare që mbështet Hezbollahun.

Në një deklaratë të publikuar mbrëmjen e së dielës, zëdhënësi i IDF-së, Daniel Hagari, paralajmëroi se kushdo që ndodhet pranë vendeve të përdorura për financimin e aktiviteteve terroriste të Hezbollahut duhet të largohet menjëherë.

Ndërkohë, Hezbollahi njoftoi se kishte lëshuar më shumë raketa drejt Izraelit të dielën, duke synuar bazat ushtarake.