Qeveria shqiptare hodhi për konsultim publik Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2024-2030
2024-10-22 11:34:18

Foto nga Fani

Qeveria shqiptare ka hedhur për konsultim publik draft-strategjinë e re Kombëtare për Turizmin 2024-2030, e cila parashikon drejtimet dhe instrumentet se si do të zhvillohet ky sektor në shtatë vitet e ardhshme, njofton “ATSH”.

Strategjia e ndan vendin në gjashtë klastera turistikë, duke grupuar disa rajone sipas karakteristikave të përbashkëta. Për secilën nga klasterat, drafti ka nxjerrë produktet turistike parësore dhe dytësore, burimet dhe atraksionet kyçe, si dhe përvojat kryesore të disponueshme për turistët.

Klasteri i bregdetit të Adriatikut, klasteri verior i brendshëm, klasteri i qytetit të Tiranës, klasteri qendror, klasteri i bregdetit të Jonit dhe klasteri jugor i brendshëm.

Qeveria parashikon që sektori i turizmit të zhvillohet ndjeshëm në 7 vitet e ardhshme, me ndihmën edhe të disa instrumenteve fiskale. Bëhet fjalë për kredi me kushte lehtësuese për investitorët.

Numri i të punësuarve në turizëm pritet të arrijë në mbi 73 mijë në vitin 2030, nga rreth 42 mijë që ishte vitin e kaluar, me një rritje prej 31 mijë persona ose 42.1%.

Një rritje e ndjeshme pritet edhe në numrin e shtretërve, gjë që do të shoqërohet me shtim të numrit të turistëve dhe rrjedhimisht edhe netqëndrimeve të tyre, falë jo vetëm krijimit të kapaciteteve të reja akomoduese, por edhe formalizimit të njësive ekzistuese akomoduese.

Strategjia parashikon që në vitin 2030, vendi të ketë 477 mijë shtretër të regjistruar, përkundrejt 270 mijë që kanë qenë vitin e kaluar, një rritje mbi 207 mijë shtretër ose 76%.