BRICS-i ecën drejt arritjes së një zhvillimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë
2024-10-22 14:42:23

Nga 22 deri më 24 tetor, presidenti kinez Xi Jinping do të marrë pjesë në Samitin e 16-të të BRICS-it që zhvillohet në Kazan të Rusisë.

Foto nga VCG

Kazan në prag të Samitit të BRICS-it, Rusi/ VCG

 Që nga viti 2013, Xi ka mbajtur fjalime të rëndësishme në takime të ndryshme të liderëve të BRICS-it, duke paraqitur e shtjelluar propozimet e Kinës për çështje kyçe, si krijimi, zhvillimi dhe zgjerimi i këtij mekanizmi bashkëpunimi, duke kontribuuar për ta drejtuar bashkëpunimin në kuadër të BRICS-it drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Bashkëpunimi praktik është themeli i bashkëpunimit të BRICS-it. Përqendrimi te bashkëpunimi praktik dhe partneriteti në rrugën e zhvillimit është qëllimi kryesor i Kinës gjatë promovimit të bashkëpunimit të saj me vendet e tjera. Kina i është përmbajtur gjithmonë konceptit të "leverdisë së ndërsjellë dhe zhvillimit të përbashkët", për të forcuar qëndrueshmërinë dhe gjallërinë e bashkëpunimit praktik në kuadër të BRICS-it.

Në vitin 2014, gjatë samitit të Fortalecës në Brazil, me koordinimin e liderit kinez, vendet e BRICS-it themeluan së bashku institucionin e parë financiar shumëpalësh, Bankën e Re të Zhvillimit.

Foto nga VCG

Selia e Bankës së Re të Zhvillimit, Shangai, Kinë/VCG

Deri tani, kjo bankë ka financuar më shumë se 100 projekte me vlerë mbi 34 miliardë dollarë, duke ofruar një garanci të fortë për ndërtimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e qëndrueshëm në vendet në zhvillim.

 Në shtator të vitit 2017 u miratua deklarata e përbashkët e liderëve të BRICS-it në samitin e zhvilluar në qytetin Xiamen të Kinës Jugore, duke dërguar një sinjal të fortë për forcimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Deklarata prej 40 faqesh mbulon 71 rezultate të takimit. Kina është nismëtare e modelit të bashkëpunimit "BRICS +", duke ftuar më shumë vende në zhvillim e tregje të reja të përfshihen në kauzën e bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella. Kina nxiti zgjerimin e fushave të bashkëpunimit të BRICS-it nga politika e ekonomia te tregtia, financa, siguria, si edhe shkëmbimet njerëzore e kulturore.

Në vitin 2022, gjatë drejtimit në internet të samitit të 14-të të BRICS-it, Xi Jinping-u theksoi se "BRICS-i nuk është një klub i mbyllur, as një rreth i vogël ekskluziv, por një familje e madhe me anëtarë që e ndihmojnë njëri-tjetrin dhe që janë partnerë të mirë për bashkëpunim me përfitime të ndërsjella". Ai vuri në dukje se duhet të çohet përpara procesi i zgjerimit të anëtarësisë për të ftuar ato vende që kanë të njëjtat mendime t'i bashkohen familjes së BRICS-it sa më shpejt të jetë e mundur.

Një vit më vonë, në një konferencë shtypi të posaçme që u mbajt në kuadrin e samitit të 15-të të BRICS-it në Johanesburg të Afrikës së Jugut, u bë e ditur se u ftuan Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Irani, Etiopia e vende të tjera të anëtarësohen zyrtarisht në familjen e BRICS-it.

Foto nga Xinhua

Liderët në një konferencë shtypi për zgjerimin e BRICS-it, Johanesburg, Afrikë e Jugut, 24 gusht 2023/Xinhua

Samiti i vitit 2024 është i pari pas zgjerimit të BRICS-it. Bashkësia ndërkombëtare pret me padurim të shohë që në takimin e kësaj here të hartohet një plan për zhvillimin e mekanizmit, duke sjellë një epokë të re në bashkimin dhe fuqizimin e Jugut Global, për nxitjen e përbashkët të paqes dhe zhvillimit botëror.