Sandu kryeson në zgjedhjet në Moldavi, por nuk arrin shumicën absolute
2024-10-22 16:19:58

Foto nga VCG

Maia Sandu/VCG

Maia Sandu ka kryesuar në zgjedhjet presidenciale të së dielës në ish-republikën sovjetike të Moldavisë, por nuk ka arritur të sigurojë një shumicë absolute, pas numërimit të më shumë se 96% e votave, njofton “ATSH”.

Komisioni Zgjedhor njoftoi se Sandu mori rreth 41% të votave pas numërimit të rreth 96% të fletëve të votimit.

Ish-prokurori i përgjithshëm Alexandr Stoianoglo, kandidati i Partisë Socialiste e ish-presidentit pro-rus Igor Dodon, është renditur i dyti me rreth 27% të votave.

Rezultatet, nëse konfirmohen, do të nxisin një balotazh zgjedhjesh brenda dy javësh. Shifrat aktuale bazohen në rezultate të pjesshme.

Presidentja pro-europiane Sandu, 52 vjeç, kandidon për një mandat të dytë. Gjithsej 11 kandidatë ishin në garë, duke përfshirë disa që mbështesin mbajtjen e lidhjeve të forta me Rusinë.

Moldavia, e vendosur midis Rumanisë dhe Ukrainës, është një vend kandidat për në BE.

Të dielën u mbajt gjithashtu një referendum për ndryshimin e Kushtetutës dhe përkushtimin për t’u bashkuar me BE-në, me më pak se 2% të votave të mbetura për t’u numëruar.

Me numërimin e gati 97% të fletëve të votimit, Moldavia i tha “jo” anëtarësimit në BE, ndryshe nga sa pritej.

Nëse kjo konfirmohet si rezultati përfundimtar, do të ishte një pengesë e hidhur për Sandu nga Partia pro-perëndimore e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS) dhe një fitore për kampin pro-rus.

Votimi po vëzhgohet nga afër nga BE-ja.

Komisioni Europian premtoi 1.8 miliardë euro ndihmë ekonomike për Moldavinë këtë muaj. Paketa përmbante mbështetje financiare për projektet e infrastrukturës në Moldavi si ura, hekurudha dhe një lidhje rrugore nga Kishinevi në qytetin port ukrainas të Odesës.

BE-ja premtoi gjithashtu t’i japë Moldavisë një akses më të madh në tregun e përbashkët të bllokut.