Foto nga CHINA DAILY
Akademia e Vallëzimit të Pekinit njihet si djepi i nderuar për kërcimtarët në Kinë. Këtë vit, u shënua 70-vjetori i krjimit të shkollës më të mirë kineze të kërcimit, me tri gala të mbajtuara në Qendrën Kombëtare për Artet Performuese në Pekin, për të festuar historinë e pasur të akademisë dhe si një dhuratë artistike për të ardhmen e kërcimit.
Në këto veprimtari morën pjesë 1168 interpretues dhe ekipet e përfshira, sipas drejtorit kryesor të galasë, Chen Weiya. Në mesin e tyre ishin 625 nxënës nga shkolla e mesme e lidhur me akademinë, së bashku me një grup kërcimtarësh të rinj nga akademia.
“Përgatitjet për galanë filluan mbi një vit më parë, për të përcjellë një mbrëmje befasuese, e cila bëri bashkë një sërë talentesh, si nga studentët e diplomuar ashtu edhe nga ata aktualë. Kërcimtarët shfaqën evolucionin me forma të ndryshme të kërcimeve, nga ai klasik kinez, kërcimi popullor kinez, baleti deri te pjesët moderne bashkëkohore”, tha Chen.
Regjisori dhe koreografi veteran njihet si një figurë lider në drejtimin skenik dhe një përfaqësues i njohur botëror i zanatit.
Karriera e tij e shquar përfshin drejtimin e disa prej shfaqjeve më të rëndësishme kombëtare, të tilla si ceremonia e hapjes dhe mbylljes së Lojërave Olimpike të Pekinit në vitin 2008, si dhe hapja e Lojërave të 31-ta Universitare Botërore FISU, të mbajtura në Chengdu, në provincën Sichuan, në vitin 2023.
Chen u emërua president nderi i Shkollës së Studimeve Kreative të Akademisë së Kërcimit të Pekinit në vitin 2023.
Foto nga CHINA DAILY
“Jam trajnuar nga Akademia e Kërcimit të Pekinit dhe ndihem gjithmonë mirënjohës ndaj mësuesve të mi këtu, të cilët jo vetëm më mësuan kërcimin dhe koreografinë, por edhe të jem i pasionuar dhe krijues. Kemi punuar për mbi një vit me ekipin për këtë gala. Ne kemi një dashuri të thellë për akademinë dhe jemi të angazhuar për artin e kërcimit. Ky përkushtim, i kombinuar me energjinë krijuese të të gjithë ekipit, më riktheu në vitet e mia të studimit në akademi”,- tha Chen.
Shkolla e Kërcimit në Pekin ishte paraardhësi i Akademisë së Vallëzimit, e cila u hap për herë të parë më 6 shtator 1954. Ai ishte instituti i parë i kërcimit në vend.
Dai Ailian (1916-2006), e njohur gjithashtu si Ailien Tai, atëherë 38 vjeçe, një balerinë kineze jashtë shtetit, u emërua presidentja e parë e institutit.
Në 70 vitet e fundit, Akademia e Vallëzimit të Pekinit trajnoi një grup të mahnitshëm kërcimtarësh, koreografësh dhe profesionistësh të aftë.
Sipas Xu Rui, president i Akademisë së Vallëzimit të Pekinit, galaja e 70-vjetorit ishte më shumë se thjesht një festë e së shkuarës së akademisë. Ajo ishte një vitrinë e trashëgimisë së qëndrueshme dhe të ardhmes së ndritur të saj.
Performanca bashkoi brezat e të diplomuarve dhe studentëve aktualë të akademisë, duke demonstruar ndikimin e thellë që ka akademia në botën e kërcimit.
Në gala performuan yje si Huang Doudou, Meng Qingyang, Hua Xiaoyi dhe Yin Shuo.
Foto nga CHINA DAILY
Në sesionin e baletit u interpretuan pjesë klasike si “Liqeni i Mjellmave”, “Arrëthyesi” dhe “Don Kishoti”.
Po ashtu, u interpretuan pjesë kërcimi klasik kinez, frymëzuar nga lëvizjet e dinastisë Han (206 p.e.s.-220) dhe dinastisë Tang (618-907).
“Kur kujtoj momentet më të rëndësishme në jetën time, ajo që bie në sy është performanca në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Pekin 2008. Mbaja veshje nga “Apsaras Flying Dunhuang”, nga kërcimi klasik kinez, duke performuar “Foleja e Zogut”,- thotë balerina Yin Shuo, e cila u diplomua në Akademinë e Vallëzimit të Pekinit në vitin 2008 dhe iu bashkua Grupit të Arteve Performuese të Kinës Orientale.
“Unë kam lindur në një familje kërcimtarësh. Prindërit e mi ia kushtuan jetën e tyre artit dhe kulturës në Kinë. Rritja e rrethuar nga kërcimi ka qenë gjithmonë një burim krenarie për mua. Akademia më dha mundësinë të mësoja teknika të forta, si dhe për të performuar në skena të ndryshme”,- thotë ajo.
“Kam qenë në akademi për më shumë se 20 vjet, megjithëse jam vetëm 33 vjeç”- deklaroi balerini Hu Yang, i cili u diplomua në shkollën e mesme të lidhur me Akademinë e Kërcimit të Pekinit dhe më vonë u diplomua nga akademia. Tani, ai është balerin kryesor i Teatrit Kombëtar të Operës, Dramës dhe Vallëzimit në Kinë.
“Jam rritur këtu dhe akademia dëshmoi rritjen time artistike. Është si familja ime. Kam kërcyer në galatë e përvjetorit të 50-të dhe 60-të të Akademisë dhe tani në këtë veprimtari të shënuar, që është një nder i madh për mua. Ne ia detyrojmë suksesin tonë akademisë që na ka mbështetur për kaq shumë vite. Kjo gala është mënyra jonë për të shprehur mirënjohjen ndaj këtij institucioni prestigjioz”,- tha ai.