10 vjetori i Procesit të Berlinit dhe ndihma ndaj ekonomisë së Shqipërisë
2024-10-22 10:26:22


Procesi i Berlinit (Foto ATSH)

Më 14 tetor u zhvillua në Berlin Samiti i 10 Vjetorit të nisjes së Procesit të Berlinit. Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal me shteteve në Ballkanin Perëndimor dhe ndihmon integrimin e këtyre shteteve në Bashkimin Evropian.

Kjo nismë u paraqit më 28 Gusht 2014 nga ish-Kancelarja Gjermane Angela Merkel. Përveç qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës dhe Shqipërisë, Procesi i Berlinit zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare të përfshira në këtë proces, si Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia, Sllovenia, Polonia, Bullgaria, Greqia, si dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në takimet e Procesit të Berlinit marrin pjesë edhe institucionet e Bashkimit Evropian, institucionet financiare ndërkombëtare dhe organizata rajonale. Kjo nismë plotëson procesin institucional të integrimit në BE të seicilit nga shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Procesi i Berlinit filloi me Konferencën e Berlinit në vitin 2014, e cila u pasua nga Samiti i Vjenës 2015, Samiti i Parisit 2016, Samiti i Triestes 2017, Samiti i Londrës 2018, Samiti i Poznanit 2019, Samiti i Sofjes 2020, Samiti online i Shkupit 2021, Samiti i Berlinit 2022, Samiti i Tiranes 2023 dhe sërisht Samiti Jubilar i Berlinit në tetor 2024.

Krahas samiteve me drejtuesit më të lartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, Procesi i Berlinit përfshin takime të përfaqësuesve të organizatave rajonale të shoqërisë civile, të organizatave rinore dhe shoqatave të biznesit të vendeve të rajonit.

 

 

10 vjet nga Procesi i Berlinit (Foto Klan tv)

Brenda kësaj axhende, Procesi deri më tani ka prodhuar nisma dhe projekte në fushat e transportit dhe infrastrukturës, lidhjes ekonomike, bashkëpunimit të të rinjve dhe bashkëpunimit midis bizneseve dhe midis shoqërive civile të Ballkanit Perëndimor.

Ai gjithashtu ka frymëzuar bashkëpunimin ndërqeveritar, përmes nismave dhe strukturave të ngritura gjatë ketyre dhjete viteve, si Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor, Forumi i Investimeve dhe Dhomave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor.

Nisma kryesore, Axhenda e Konektivitetit i referohet lidhjes së njerëzve (dimensioni shoqëror), ekonomive (dimensioni ekonomik) dhe shteteve (dimensioni politik) të rajonit.

Në nëntor 2023, Komisioni Evropian shpalli Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili mobilizon për të gjashtë vendet e Ballkanit Perendimor 6 miliardë euro në katër vjet, 2 miliardë euro grante(para dhuratë) dhe 4 miliardë euro kredi të buta. Këto fonde kanalizohen përmes nismave dhe strukturave të Procesit të Berlinit.

Ku ndodhet Shqipëria dhe ekonomia e saj, përballë këtyre 6 miliardë eurove të Bashkimit Evropian, të kanalizuara përmes Procesit të Berlinit?

Përfitimi nga fondet e vëna në dispozicion deri tani nga Procesi i Berlinit për shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë një det i tërë, ku mjafton të marrësh lugën dhe ta mbushësh me financime.

Për të merituar financimin nga Axhenda e Konektivitetit dhe nga strukturat e tjera të Procesit të Berlinit dhe tani të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të realizojnë Tregun e Përbashkët Rajonal, në kuadër të marrëveshjeve të CEFTA-s, të cilat u rifirmosën në Samitin e 10 Vjetorit në Berlin më 14 tetor 2024.

Po ashtu, këto shtete duhet të realizojnë integrimin ekonomik me tregun e përbashkët të BE-së, të kryejnë reforma tërësore(cluster) dhe të përgatitisin projekte konkurruese me përfitime rajonale.

Qeveria e Shqipërisë i ka bërë këto detyra shtëpie me përgjegjësi dhe profesionalizëm. Si rezultat, tre vite më parë, Samiti i Sofjes i Procesit të Berlinit miratoi tre projekte tonat: By-pass-in e Tiranës, Hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës dhe rehabilitimin e Hidrocentralit të Fierzës, me një vlerë totale mbi një çerek miliardë euro.

Ndihma që marrim nga grantet dhe kredite e buta të Procesit të Berlinit  përbën gati një të tretën e fondeve që Shqipëria ka angazhuar deri tani në investimet kapitale të dekadës së fundit. Këto fonde na kanë ndihmuar në shumë vepra madhore të infrastrukturës.

Në takimin e nivelit të lartë të Tiranës për Procesin e Berlinit, zhvilluar një vit më parë në tetor 2023, u vendos për krijimin e korsive të gjelbra në doganat e vendeve të Ballkanit Perëndimor me doganat përkatëse të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për lehtësimin e lëvizjes së kamionëve nga të dyja drejtimet.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave e Shqipërisë po punojnë mirë me projektet e përgatitura dhe të tjerat që duhet të propozojmë, në kuadër të Procesit të Berlinit dhe planit të tij kryesor, që quhet Axhenda e Ndërlidhjes(Konektivitetit).

Samiti i Procesit të Berlinit (Foto Altax.al)

Deri në shtator 2024, në vlerë totale, Shqipëria përfaqësonte rreth 13 përqind të projekteve të Axhendës së Konektivitetit, nga 7 përqind në fund të vitit 2019 dhe 11 përqind në fund të vitit 2020, duke përmirësuar pozicionin e saj. Shqipëria ka dhe shpërndarjen më të gjerë të investimeve në bazë sektori, duke përfshirë transportin, energjinë dhe sektorin dixhital.

Krahas hekurudhës tërësisht elektrike Tiranë-Rinas-Durrës, e cila do të përfundojë së ndërtuari vitin e ardhshëm, Procesi i Berlinit dhe Bashkimi Evropian po bashkëfinancojnë dhe dy projekte të tjera madhore hekurudhore në Shqipëri, hekurudhën po tërësisht elektrike Durrës-Rrogozhinë, 33.5 km të gjatë, me nje fond grant prej 62.5 milionë euro, si dhe hekurudhën Vorë-Hani i Hotit, 120 km të gjatë, edhe kjo tërësisht elektrike.

Kosto tërësore e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit do të shkojë në 373 milionë euro, ku, krahas 136 milionë eurove grant të BE-së, do të jenë dy kredi të buta nga nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH), në masën 98.8 milionë euro dhe nga Banka Evropiane e Investimeve, me vlerë 100 milionë euro. Kreditë e buta do të shlyhen brenda 17-20 viteve.

Me tre hekurudhat  e bashkëfinancuara nga Procesi i Berlinit dhe Plani i Rritjes i BE-së, ekonomia shqiptare merr një hov të ri zhvillimi dhe qytetarët do të mbërrijnë në destinacionin që duan më shpejt dhe më lirë.

Fatos Çoçoli