
Arritje tekniko-shkencore të Kinës në vite të fundit në një ekspozitë të Muzeut të Shkencëtarëve të Kinës, Pekin/VCG
Nga 22 deri më 24 tetor do të mbahet në Pekin Forumi Botëror i Zhvillimit të Shkencës dhe Teknologjisë 2024, i organizuar nga Shoqata për Shkencën dhe Teknologjinë e Kinës.
Forumi, i cili ka si temë "Shkenca dhe teknologjia për të ardhmen", synon të krijojë një platformë ndërkombëtare dialogu për integrimin e thellë të shkencave natyrore e shkencave shoqërore, ku drejtues globalë të shkencës, biznesit dhe arsimit do të diskutojnë për sfidat globale, si ndryshimet klimatike, kriza energjetike etj.
Aktivitetet kryesore përfshijnë gjashtë mbledhje tematike, mbi tema si qeverisja e inteligjencës artificiale, zhvillimi ndërdisiplinor dhe infrastruktura e hapur shkencore. Tre tryeza të rrumbullakëta do të fokusohen në rolin e gruas në shkencë, politikat teknologjike dhe zhvillimin e vazhdueshëm.
Në forumin e sivjetshëm do të marrin pjesë mbi 120 të ftuar nga 28 vende e rajone të botës, duke shënuar një rekord të ri për sa i përket pjesëmarrës në historinë e këtij aktiviteti. Pjesëmarrësit përfshijnë fitues të çmimeve "Nobel" dhe "Turing", drejtues të organizatave shkencore ndërkombëtare e kineze, si edhe arsimtarë e sipërmarrës të shquar, duke sjellë shkëmbimin e ideve të larmishme.
Forumi, që ka nisur të zhvillohet në vitin 2019 nga Shoqata për Shkencën dhe Teknologjinë e Kinës, është mbajtur çdo vit për pesë vjet me radhë. Ai synon të nxisë bashkëpunimin shkencor global, të promovojë zgjidhje inovative dhe të kontribuojë në zhvillimin e vazhdueshëm dhe në mirëqenien e brezave të ardhshëm.
