Kampioni botes ne kickbox Ferit Keta (Foto personale)
Ferit Keta është pa dyshim një emër i njohur i sportit shqiptar. Kampion Bote në Kick-Boks dhe një karrierë të shkëlqyer edhe në boks, me një rekord fitoresh. Edhe pse fillimet i ka pasur në Kick-Boks, Ferit Keta tregon një prapaskenë interesante nga karriera e tij e hershme në Gjermani, atë sesi të kalonte nga boksi amator e më pas tek ai profesionist. Ka patur gjithmonë mbështetjen e pakursyer të vëllezërve të tij më të mëdhenj, Ismailit dhe Gjetanit, të cilët kanë mrekulluar publikun me duelet e tyre, duke ngritur lart emrin e kësaj familje, dhe për vetë Feritin është përgjegjësi për të mbajtur lart emrin e kësaj dinastie. Në intervistë për Radio Ejani ai tregon për karrierën e tij sportive, jetën në Gjermani dhe planet në të ardhmen.
Ferit Keta gjate nje ndeshje (Foto personale)
CMG: Prej vitesh vëllezërit Keta kanë hapur palestrën e tyre në Tiranë.
Ferit Keta: Ne e kemi hapur këtë palestër që në vitin 2012, ku aktivitetet e mia stërvitore pothuajse shumicën e rasteve i kryej në këtë palestër. Gjithashtu kemi zhvilluar dhe turne të vogla, ku vazhdojmë me grupe stërvitore, me nxënës dhe sportistë të tjerë që stërviten tek ne.
Ferit Keta i emocionuar pas fitores (Foto personale)
CMG: Si e ke nisur kikboksin dhe më pas boksin?
Ferit Keta: Kjo për mua ka nisur si një ëndërr e pamenduar që do të bëhet ndonjëherë realitet, sepse nuk kishim mundësi për një gjë të tillë. Kur shkova për herë të parë në Gjermani, ku ishin vëllezërit e mi Ismaili dhe Gjetani, mbaj mend që Ismaili kur më priti në aeroport më pyeti sesi më dukej Gjermania dhe a më pëlqente sporti që ata bënin, kickboxi. Më pyeti nëse edhe unë kisha dëshirë dhe pasion për ta filluar një ditë këtë sport. Në fakt për mua ishte emocion shumë i madh sepse e kisha ëndërruar këtë gjë. Mundësitë ishin të pamunduara që unë ta zhvilloja këtë sport, ose të stërvitesha diku për të ecur më lart. Kështu që i thashë vëllait tim Ismailit se për mua është ëndërr dhe mezi pres të filloj sa më shpejt stërvitjen. Ai më tha të filloja stërvitjen që të nesërmen, që të më shihnin sesa do të ecja në këtë sport. Gjithashtu nëse e meritoja më premtoi të zhvilloja ndeshje. Për mua ishte gëzim shumë i madh. Më kujtohet që stërvitja ime zgjaste më shumë nga të gjithë nxënësit aty, dhe pse bëja më keq në kuptimin e teknikës dhe shumë gjërave të tjera.
Në fillim ishte mentaliteti se unë vija nga fshati, ku vetëm duhet të jesh i fortë fizikisht dhe e lija pjesën e teknikës shumë mbrapa, ngaqë fokusohesha gjithmonë te forca. Mendoja që po të kesh forcën ke gjithçka, mirëpo faktikisht kjo nuk ekziston në artet marciale, boks ose kikboks. Kështu që duhet t’i alternosh së bashku, mendjen dhe forcën, që të kesh rezultate sa më të mira. Kur i shikoja që ato bënin bukur dhe nuk lodheshin aq sa unë, thoja me vete se çfarë ka tek unë që nuk shkon, se unë po lodhesha aq shumë dhe nuk po e bëja aq bukur sa po e bënin ata.
Ismaili vinte dhe më kritikonte shumë herë, por prapë kishte diçka që i pëlqente tek unë, sepse e shikonte që kisha këmbëngulje dhe dëshirë, por ai jepte besueshmërinë për të vazhduar në këtë rrugëtim. Ka qenë emocion dhe një pjesë shumë e bukur, sepse ka patur vështirësi, por dhe bukurinë e vet.
Ferit Keta me gazetarin Defrim Methasani (Foto personale)
CMG: Gjatë karrierës sportive ke arritur një rekord fitoresh, duke u shpalluar kampion bote në Kick-Boks. Emocionet që ke përjetuar gjatë fitoreve?
Ferit Keta: Kam përjetuar emocione të jashtëzakonshme, por ka patur dhe momente kur jam stepur deri diku, sepse ka qenë një moment kur unë isha amator dhe më duhej që të bëja sa më shumë ndeshje dhe aktivitete, për të fituar sa më shumë ekperiencë në një kohë të shkurtër. Unë këtë sport e kam nisur në një moshë paksa të madhe dhe më duhej të bëja sa më shumë ndeshje për të kaluar pastaj si profesionist.
Ferit Keta me vellezerit e tij (Foto personale)
CMG: Jeta juaj sportive ka qenë e përqëndruar më shumë në Gjermani, ku ke zhvilluar mjaft ndeshje. Si u integrove me jetën në një vend të huaj?
Ferit Keta: Në Gjermani ishte komplet ndryshe, u përballa me një botë ndryshe nga çfarë kisha parë dhe ku isha rritur, por atje mësova që puna dhe disiplina të japin sukses të vërtetë. Falë asaj unë kam arritur suksese, por kisha mbështetjen e vëllait tim Ismailit, falë asaj disipline dhe pune që bëja me ta pata suksese dhe eca mirë.
CMG: Kohët e fundit jetën sportive e ndan mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, sepse menaxhon dhe palestrën në Tiranë.
Ferit Keta: Tani jam mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, ku lëviz shumë për arsye trajnimi, stërvitje dhe aktivitete.
Ferit Keta pas fitores (Foto personale)
CMG: Cila ka qenë ndeshja më e veçantë gjatë karrierës suaj sportive?
Ferit Keta: Kam zhvilluar shumë ndeshje, por do të veçoja vetëm një, kur u shpalla kampion bote në Shqipëri, ku u ndesha në një kala madhështore siç është Kalaja e Vilë-Bashtovës. Për mua atë natë ka qenë një emocion i jashtëzakonshëm sepse kam pasur shumë mbështetje nga një publik i madh, që prisnin rezultate të mira nga unë. Falë Zotit dhe punës që kam bërë me vëllezërit e mi, Ismailin dhe Gjetanin, arrita t’ia dal, duke fituar titullin kampion bote. Duam gjithmonë të bëjmë më të mirë dhe të ngejmë flamurin tonë me krenari.
CMG: Cili ka qenë momenti më i mirë i një karriere të pasur me triumfe si ajo e juaja?
Ferit Keta: Ka qenë momenti kur u ndesha për titullin kampion të Gjermanisë, ku ndeshesha kundër një gjermani në boksin profesionist. Më kujtohet që ka qenë një ndeshje shumë agresive dhe pak me inat, sepse edhe ai donte patjetër ta fitonte atë titull, ngaqë nuk e pranonte faktin që në Gjermani t’ia marrë fitoren një shqiptar. Ajo ndeshje ka qenë një spektakël i vërtetë, ku në fund e fitova unë. Kam qenë shumë i lumtur që e fitova atë ndeshje në boksin profesionist.
Ferit Keta pas fitores se nje ndeshje (Foto personale)
CMG: Si ndjehesh me gjithë këto arritje në Kick-Boks dhe boks?
Ferit Keta: Padyshim që ndjehem shumë mirë, por nuk mjafton vetëm ndjesia e mirë. Duhet shumë punë, shumë sakrificë dhe disiplinë për ta mbajtur dhe për të korrur sukses të vërtetë.
Sportisti Ferit Keta (Foto personale)
CMG: Cili mendoni se është çelësi i suksesit tuaj në këtë sport?
Ferit Keta: Mendoj se çelësi i suksesit është vetëm puna dhe disiplina. Pa këto të dyja, sado të kesh talent dhe të jesh mirë, asnjëherë nuk do të kesh sukses.
CMG: Je i lumtur që këtë sport e ke trashëguar nga vëllezërit më të mëdhenj?
Ferit Keta: Unë kam arritur këtë sukes falë vëllezërve të mi, sepse është shumë e nevojshme që të kesh ndihmë, qoftë për stërvitje apo dhe për ta mundësuar trajnimin dhe stërvitjen e sigurtë. Kam qenë me fat sepse kam pasur Ismailin të parin dhe Gjetanin të dytin, pas një karriere shumë të mirë dhe shumë rezultateve të mira që ata kanë pasur. Mua thjesht më duhej punë dhe të ndiqja hapat e tyre. Patjetër që jam krenar dhe shumë i lumtur, që jam bërë dhe unë pjesë e vëllezërve të mi.
Ferit Keta pas ndeshjes (Foto personale)
CMG: Cilat janë planet në vazhdim në lidhje me kikboksin dhe boksin?
Ferit Keta: Akoma nuk kam diçka të vendosur, por parashikoj që në dhjetor të ndeshem prapë në Kick-Boks, dhe me shumë mundësi për të mbrojtur titullin tim kampion bote.
Intervistoi: Gazmend Agaj