Përkujtohet Naim Frashëri (Foto Ora News)
Të dielën u përkujtua 124-vjetorin e ndarjes nga jeta e poetit kombëtar shqiptar Naim Frashëri (1846-1900), shkruan ATSH.
Përmes një postimi në rrjetet sociale , Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, solli në vemendje veprimtari nga jeta e poetit të shquar.
Naim Frashëri iu përkushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare, si dhe për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare.
Në më pak se 20 vjet botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat dhe përkthime. Veprat më të shquara të Naim Frashërit janë “Bagëti e Bujqësija” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” (1890), poema epike “Istori e Skënderbeut” (1898), lirikat në persisht “Ëndërrime” si dhe poemat në gjuhën greke “O alithis pothos ton Skyperaton” (Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, 1886), etj.
Vepra e Naim Frashërit është botuar dhe vazhdon të botohet gjerësisht dhe është bërë objekt studimesh shkencore. Naim Frashëri vdiq në Stamboll më 20 Tetor 1900. Eshtrat e tij u sollën në Shqipëri më 1937 dhe prehen në Memorialin e Rilindësve në Tiranë.