Situata globale është bërë më e paqëndrueshme dhe rimëkëmbja e ekonomisë botërore është dobësuar. Ku po shkon bota? Vendet e BRICS-it e kanë dhënë përgjigjen. Ndërsa samiti i BRICS-it 2024 po afron, një sondazh i bërë nga CGTN-i me përdoruesit globalë të internetit tregon se shumica e pjesëmarrësve në të shpresojnë që mekanizmi i bashkëpunimit i BRICS-it do t'i sjellë më shumë gjallëri ekonomisë botërore që gjendet në vështirësi, dhe qeverisjes globale komplekse.
Mekanizmi i bashkëpunimit i BRICS-it lindi nga prirja e rritjes së ekonomive të reja dhe vendeve në zhvillim. Pas vitesh zhvillimi, është formuar tashmë një kuadër bashkëpunimi shumënivelësh, shumanësh dhe tërësor. Në vitet e fundit, mekanizmi i bashkëpunimit i BRICS-it ka sjellë përfitime e mundësi zhvillimi në një numër të madh vendesh në zhvillim nëpërmjet ngritjes së Bankës së Re të Zhvillimit dhe marrëveshjeve për rezervën e rasteve të paparashikuara.
Në sondazh, 92.87 % e atyre që morën pjesë, besojnë se ky mekanizëm nxit bashkëpunimin e Jugut Global, 94.2 % mendojnë se ndikimi i mekanizmit të bashkëpunimit të BRICS-it po zgjerohet vazhdimisht dhe 94.1 % u shprehën se, si mekanizëm bashkëpunimi shumëpalësh i ekonomive në rritje, BRICS-i mund të nxitë më shumë rimëkëmbjen e ekonomisë botërore.
Për një kohë të gjatë, mekanizmi i bashkëpunimit i BRICS-it ka ndjekur aktivisht parimet e hapjes, përfshirjes, bashkëpunimit e rezultateve me përfitime të përbashkëta, duke u bërë gjithnjë e më shumë një forcë e rëndësishme për nxitjen e bashkëpunimit global dhe multilateralizmit. Në këtë drejtim, 89.6 për qind e pjesëmarrësve besojnë se BRICS-i ndihmon në krijimin e një rendi më të drejtë, më demokratik dhe më të arsyeshëm ndërkombëtar. Ndërkojë, 91.65 për qind mendojnë që, si vendi më i madh në zhvillim në botë, filozofia dhe përvoja e zhvillimit e Kinës ofrojnë pika të rëndësishme referimi për vendet me ekonomi në rritje në arritjen e modernizimit.
Ky sondazh u publikua në platformat e CGTN-it në anglishte, spanjishte, arabishte, frëngjishte dhe rusishte. Brenda 24 orësh, gjithsej 18 961 përdorues të huaj interneti morën pjesë në sondazh dhe dhanë pikëpamjet e tyre.