Balla në Vjenë: Pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë
2024-10-21 14:44:52

Balla në Vjenë (Foto ATSH)

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, njëherësh dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, gjatë një takimi në Vjenë, Austri, me përfaqësues të komunitetit shqiptar, theksoi arritjen historike të përfshirjes së diasporës shqiptare në zgjedhjet parlamentare, pas 33 vitesh, njofton ATSH

Sipas Ballës, pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje është thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë. Ai tha se rreth 1.75 milionë qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit do të kenë të drejtë vote.

“Pjesëmarrja juaj në zgjedhje është shumë e rëndësishme. Ne duam që të gjithë bashkatdhetarët tanë të jenë të përfshirë në këtë proces, sepse është një mundësi për të kontribuar në të ardhmen e Shqipërisë” tha zyrtari i lartë shqiptar.

Ky hap, sipas Ballës, është një përpjekje e rëndësishme për të forcuar lidhjet mes diasporës dhe vendit amë, duke e bërë Shqipërinë më të përfshirë dhe më të integruar në nivel ndërkombëtar.