Foto nga ATSH
Gjithnjë e më tepër turistët e huaj po shfaqin interes për zonat e mbrojtura dhe shtigjet natyrore, nga Kukësi në Gjirokastër.
Ndër 9.7 milion turistë që vizituan vendin tonë nga janari në shtator të këtij vit, 4.5 milionë janë turistë të huaj që vizituan zonat e mbrojtura dhe pasuritë kombëtare po në këtë periudhë.
Të shoqëruar nga guidat e stafeve të 12 Administratat e Zonave të Mbrojtura, kanë tashmë të gatshme stafet përkatëse, që do të shoqërojnë turistët që duan të provojnë përvoja unike të turizmit të natyrës dhe atij kulturor.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga një guidë e tillë, ku turistë vendas e të huaj vizituan bukuritë e shtegut Diga Bovillë-Shpella e Gamtit, ndër më të frekuentuarit në Parkun Kombëtar Mali i Dajtit.
Pjesë e eksplorimit janë edhe shtigjet Dragobi-Valbonë, Peshkopi-Rabdisht, Ura e Bunës-Mali i Taraboshit, Shtegu i Ishullit të Kunes, Diga Bovillë-Shpella e Gamtit, Tarraca e Dajtit-Kalaja e Dajtit, Qafë-Shapkë-Maja e Shapkës, Çezma e Tarikos-Qafa e Skurrës, Shtegu i Pelikanit, Qendra e Vizitorëve-Qafa e Thellë dhe shtegu Kisha e Pandelimonit-0MN Pylli i Gerhotit-Çuka e Zhepës.
Foto nga ATSH
Kështu, turizmi i natyrës vijon të jetë ndër të preferuarit e vizitorëve vendas e të huaj, pasi vendi ynë ka një terren të thyer nga jugu, në veri të territorit.
Duke ndjekur interesin, por edhe problematikat e hasura nga numri i lartë i frekuentimit të shtigjeve, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura po punon për krijimin e të parit website zyrtar shtetëror të quajtur “Albanian trails”. Ky website do të ofrojë për të gjithë të interesuarit informacionet e nevojshme për përzgjedhjen, e më pas ndjekjen e shtigjeve natyrore, pjesë e rrjetit të zonave të mbrojtura.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura punon çdo ditë për të ofruar siguri dhe përfshirje sa më cilësore të vizitorëve në rrjetin e zonave të mbrojtura AdZM Tiranë. Ajo përgjatë gjithë sezonit veror ka mundësuar përmirësimin e shtigjeve natyrore, nëpërmjet markimit dhe vendosjes së tabelave të reja orientuese.
Zonat e mbrojtura vijojnë të tërheqin një numër të lartë vizitorësh. Ato janë oaz i biodiversitetit në Shqipëri. Zgjerimi i Zonave të Mbrojtura në Shqipëri synon të rrisë integritetin e këtyre zonave, për gjendjen e paprekur të tyre, krahasuar me zona të tjera të vendit, për biodiversitetin e lartë, për habitatet e rralla që bartin.
Target edhe turizmi i kulturës
Trashëgimia kulturore dhe historike tërheq të huajt në vendin tonë, numri i të cilëve është shtuar ndjeshëm.
Më shumë se 1 milion turistë kanë vizituar sitet e kulturës gjatë periudhës janar-shtator ose 35% më shumë se një vit më parë, një shifër domethënëse për diversitetin e atraksioneve në të gjithë vendin.
Foto nga ATSH
Shifra u bë publike nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, ndërsa tashmë strategjia e turizmit është hedhur për konsultim publik me synimin zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor, ku sitet kulturore kanë një vend të rëndësishëm.
Ky vit ka qenë një dëshmi e rëndësisë së përkushtimit ndaj trashëgimisë historike duke i paraprirë boom-it të turizmit kulturor që përkthehet në mbështetjen më të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik.
Prej kohësh tashmë vërehet rritje e ndjeshme e vizitorëve, si vendas ashtu edhe të huaj që provon interesin në rritje për thesaret tona kulturore, krahas natyrës dhe ofertës akomoduese e shlodhëse.
Ndërkaq, janë rreth 500 objekte të restauruara e mirëmbajtura, nga të cilat 210 objekte restauruar me buxhet shteti dhe donatorë, 190 objekte mirëmbajtur me buxhet shteti, 99 objekte private trashëgimie kulturore përfitues nga buxheti i shtetit për Bonusin e Rijetëzimit, investime këto që kanë kontribuar në rritjen e turizmit kulturor.