Transformimi financiar i mundësuar nga IA-ja: Balancimi ndërmjet novacionit dhe rrezikut
2024-10-21 14:15:30

Fjala kyçe: 金融---[jīn róng]---financë

Forumi "Rruga Financiare" për vitin 2024

Pavarësisht nga përparimet e fundit në inteligjencën artificiale (IA) dhe përdorimi i saj gjithnjë e më shumë në sektorë të ndryshëm, ekspertët paralajmërojnë për rreziqet potenciale të aplikimit të teknologjisë së IA në sektorin financiar. Në Forumin "Rruga Financiare" për vitin 2024 të mbajtur në Pekin të shtunën, përfaqësuesit e industrisë shprehën shqetësime rreth kësaj teknologjie, që mund të prodhojë informacione të rreme dhe të prishë qëndrueshmërinë e tregut. Megjithatë, ata pranuan gjithashtu se me menaxhimin e duhur të rrezikut, IA mund të ketë përfitime kolosale për ndërmarrjet, investitorët dhe ekonominë reale.

IA-ja po ndryshon industrinë financiare me një ritëm të paparë. Wouter Stinis, kryeekzekutivi i kompanisë "Optiver" për Azi-Paqësorin, vuri në dukje se nga tregtimi algoritmik "i rrufeshëm" e deri te analiza e ndërlikuar e sipërmarrjes, IA po depërton në çdo cep të financave. Ajo jo vetëm është e aftë në realizimin e vendimeve komplekse tregtare, por gjithashtu mund të parashikojë prirjet e tregut, duke u ofruar investitorëve rrugëzgjidhje të personalizuara në menaxhimin e pasurisë.

Kina gjithashtu po zbaton IA-në në industrinë financiare vitet e fundit. Teknologjia IA është përdorur gjerësisht në aspekte të ndryshme të sektorit financiar, duke përfshirë projektimin e produkteve financiare, marketingun, kontrollin e rrezikut, shërbimin ndaj klientit dhe aktivitetet mbështetëse. Shumë institucione kanë zhvilluar një sërë aplikacionesh të ndihmuara nga IA.

Megjithatë, përdorimi i gjerë i IA-së në sektorin financiar ka krijuar gjithashtu sfida të reja.

Shang Fulin, kryetar i Komisionit për Çështjet Ekonomike të Komitetit të 13-të Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez

Shang Fulin, kryetar i Komisionit për Çështjet Ekonomike të Komitetit të 13-të Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez dhe ish-kryetar i Komisionit Rregullator Bankar të Kinës, theksoi disa sfida të sjella nga IA në sektorin financiar. Ndërlikueshmëria e modeleve të IA-së mund të kërcënojë qëndrueshmërinë financiare, ndërsa të dhënat e vjetruara mund ta pengojnë saktësinë e tyre parashikuese. Përveç kësaj, përdorimi i gjerë i të dhënave sensitive në përdorimet e IA-së ka shtuar rreziqet nga sulmet kibernetike dhe rrjedhja e të dhënave.

Pjesëmarrësit ndanë gjithashtu përvojën e tyre se si industria financiare mund të shfrytëzojë fuqinë e IA-së, ndërsa zbut rreziqet e saj të mundshme.

Shang theksoi se industria financiare duhet të eksplorojë në mënyrë proaktive aplikimet e modeleve të mëdha të gjuhëve në fusha të tilla si menaxhimi i rrezikut, miratimi i kreditit dhe zbulimi i mashtrimeve, për të rritur nivelin inteligjent, për të thjeshtuar procedurën dhe për të krijuar një ekosistem të fuqishëm digjital, duke ofruar shërbime më të volitshme.

Shang propozoi përpjekje për bashkëpunim midis qeverive, rregullatorëve dhe aktorëve të tregut për të vendosur rregulla të forta që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm të IA-së. "Me menaxhimin e duhur të rrezikut, IA-ja mund të sjellë përfitime thelbësore dhe të gjera për ndërmarrjet, investitorët dhe ekonominë reale," pohoi ai.

Li Yang, anëtar i Akademisë Kineze të Shkencave Shqërore dhe drejtor i Institutit Kombëtar për Financën dhe Zhvillimin

Li Yang, anëtar i Akademisë Kineze të Shkencave Shqërore dhe drejtor i Institutit Kombëtar për Financën dhe Zhvillimin, beson se përparimet e shpejta në inteligjencën artificiale kërkojnë një vlerësim të gjithanshëm të ndikimeve të saj shoqërore. Për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e IA-së, ndërsa zvogëlon rreziqet e saj, politikat gjithëpërfshirëse shoqërore janë të domosdoshme.

"Ndërmjet investimeve strategjike në arsim, reformimit të sistemeve të taksave dhe zbatimit të fortë të ligjeve e rregullave, ne mund të sigurojmë që zhvillimi i IA-së t'i shërbejë interesit më të gjerë publik, të parandalojë monopolet teknologjike dhe të nxisë një shoqëri më të barabartë e më përfshirëse," u shpreh Li.