Foto nga VCG
Të dhënat nga Administrata Doganore e Kinës tregojnë që në tre tremujorët e parë të vitit 2024, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të mallrave të Kinës i kaloi 32 trilionë juanët, 5.3 % më shumë se në janar-shtator 2023.
Nga të dhënat mund të shohim që, edhe pse Kina përballon disa sfida në tregtinë e jashtme, falë mbështetjes së vazhdueshme në fushën e ofertës dhe kërkesës, import-eksporti i Kinës ka ruajtur rritje të qëndrueshme dhe përmasat e tij në çdo tremujor kanë arritur mbi 10 trilionë juanë, çka është hera e parë në historinë e tregtisë së jashtme të Kinës.
Në nëntë muajt e parë, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit shënoi vlerën 32.33 trilionë juanë, ndër të cilat importi 13.71 trilionë juanë dhe eksporti 18.62 trilionë juanë, ose përkatësisht 4.1 % dhe 6.2 % më shumë se në vitin 2023.
Foto nga VCG
Struktura e mallrave të eksportuara nga Kina është në përmirësim të vazhdueshëm. Në tre tremujorët e parë, eksporti i pajisjeve elektrike e mekanike ishte 11.03 trilionë juanë, 8 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke zënë afro 60 % të vëllimit të përgjithshëm të eksportit. Ndër to, pajisjet e nivelit të lartë, qarqet e integruara, automjetet dhe pajisjet elektro-shtëpiake regjistruan përkatësisht rritje me 43.4 %, 22 %,22.5 % dhe 15.5 %.
Ndërmarrjet e llojeve të ndryshme kanë ruajtur gjallërinë e tyre. Në tre tremujorët e parë, kompanitë private, që përbëjnë pjesën më të madhe të ndërmarrjeve të tregtisë së jashtme të Kinës, shënuan një vlerë të eksporteve dhe importeve 17.78 trilionë juanë, 9.4 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme, dhe kontributi i tyre për rritjen e përgjithshme të tregtisë së jashtme arriti në 93.8 %. Ndërkohë, ndërmarrjet me investime të huaja patën rritje 1.1 %, duke ruajtur rritjen për dy tremujorë me radhë.
Edhe prodhimi e konsumi kanë pasur shtim të qëndrueshëm. Në janar-shtator, importi i mallrave të paambalazhuara u rrit me 5 %. Ndër to, burimet energjetike, si nafta bruto, gazi natyror dhe qymyrguri, u rritën me 4.8 % dhe xeherorët e metaleve si hekuri e alumini patën rritje 4.9 %. Në këtë periudhë, edhe importi i mallrave të konsumit shënoi rritje të dukshme, duke i kaluar 1.3 trilionë juanët.
Foto nga VCG
Në tregun ndërkombëtar, Kina ka nxitur në mënyrë të qëndrueshme multilateralizmin. Në janar-shtator, Kina ka shënuar rritje të tregtisë dhe mbi 160 vende e rajone të botës. Import-eksporti me partnerët tradicionalë, si BE-ja dhe ShBA-ja, ka pasur përkatësisht rritje 0.9 % dhe 4.2 %.
Në këtë periudhë, import-eksporti i Kinës me vendet pjesëmarrëse të nismës “Një brez, një rrugë” regjistroi vlerën 15.21 trilionë juanë, 6.3 % më shumë se në janar-shtatorin e vitit të kaluar, duke u ngritur me 47.1 %. Import-eksporti i Kinës me vendet e BRICS-it, vendet e RCEP-it dhe me vendet e ASEAN-it është rritur përkatësisht 5.1 %, 4.5 % e 9.4 %.
Zv.drejtori i përgjithshëm i Administratës Doganore të Kinës Wang Lingjun u shpreh në një konferencë për shtypin që, edhe pse mjedisi i brendshëm e i jashtëm është më i ndërlikuar dhe zhvillimi i tregtisë kineze përballon disa sfida, në përgjithësi mund të shohim që import-eksporti i Kinës ka ruajtur rritje të qëndrueshme në tre tremujorët e parë, pasi tregtia është nxitur njëkohësisht nga oferta dhe kërkesa.
Foto nga VCG
“Ekonomia kineze ka një bazë e treg të gjerë, elasticitet të fortë dhe potencial të madh. Këto janë kushte pozitive dhe nuk kanë ndryshuar. Me shfaqjen e vazhdueshme të efekteve të politikave ekzistuese dhe masave të reja, faktorët pozitivë për tregtinë e jashtme po përqendrohen më tej. Kështu që për tre muajt e fundit të vitit 2024, me këtë bazë mbështetëse, import-eksporti mund të shënojë rritje të qëndrueshme,” theksoi Wang Lingjun. (Jiang Lei)