Këngëtarja Adriana Koreta (FOto personale)
Adriana Koreta ka lindur në qytetin e Vlorës, ku ka studiuar në shkollën e mesme dhe më pas ka emigruar me familjen në Greqi. Në këtë vend ajo zbuloi talentin e saj për të kënduar, duke ndjekur kurse private për kanto. Kënga e parë e saj ka qenë “Ç’po qëndis moj Marigo”, pasi si emigrantë e ndjenin shumë mallin për atdheun. Pas emigrimit në Greqi, familja e Adrianës u zhvendos në Angli, ku ajo flloi të interpretonte muzikë live për komunitetin shqiptar.
Adriana është rikthyer pas 7 vjetësh në Shqipëri, ku për dy vite rresht ka publikuar shumë materiale muzikore. Në repertorin e saj artistik bëjnë pjesë këngë patriotike dhe të muzikës folk, por edhe këngë të muzikës së lehtë. Kohët e fundit Adriana ka publikuar shumë këngë të shoqëruara me videoklipe, ndër të cilat dhe balada “Hija ime”, e cila zë një vend të rëndësishëm në shpirtin e saj artistik.
CMG: Je shumë aktive këtë vit dhe sapo ke publikuar këngën e re, një baladë. Përse me një baladë dhe pikërisht tani?
Adriana Koreta: Po, këtë vit kam sjellë edhe një baladë që kisha kohë që e mendoja ta publikoja. E solla pikërisht tani sepse i erdhi koha.
CMG: Baladat i ke pjesë të repertorit tënd muzikor. Përse nuk je prezantuar edhe më herët me këngë të tilla.
Adriana Koreta: Nuk i kam prezantuar më herët se kam patur një program mjaft të ngjeshur me dasmat, prandaj jam fokusuar më së shumti tek publikimi i këngëve folk.
CMG: Balada jote e fundit mban titullin "Hija ime". Cila është fabula e kësaj kënge?
Adriana Koreta: "Hija ime" është një baladë që flet vetë. “Hija ime” është ajo që më qëndron besnike më së shumti. Këtë këngë e kam mbajtur në sirtar për disa vite dhe tani i erdhi koha që ta publikoja.
CMG: Kjo këngë më kujton kompozimet e bukura të festivaleve para viteve ’90-të. Cilët janë autorët e këngës dhe si erdhi realizimi i saj deri në finalizim?
Adriana Koreta: Me tekstin dhe muzikën kam punuar disi vetë, por me ndihmën e kompozitorit Gramoz Kozeli, të cilin e falenderoj. Të dy bashkëpunuam për këtë këngë që të vijë kaq bukur në publik.
CMG: Adriana, ke vite që interpreton në skenë. Cilat janë kujtimet më të bukura artistike gjatë këtyre viteve, që janë ngulitur në memorien tënde ?
Adriana Koreta: Kujtimet më të bukura janë dhe do të mbeten gjithmonë emocionet, që më fal publiku në çdo aktivitet muzikor, por më së tepërmi emocionet që marr në gëzimet familjare.
CMG: Kthehemi në retrospektivë, a e kujton se cila ka qenë skena e parë, kënga e parë që ke kënduar?
Adriana Koreta: Kënga e parë ka qenë, "Ç’po qëndis moj Marigo", një këngë patriotike". Kam kënduar këngë të tilla patriotike që në moshë të vogël, pasi jam rritur në emigrim dhe e kam ndjerë së tepërmi këtë këngë.
CMG: Kush e ka zbuluar talentin tënd?
Adriana Koreta: Unë që e vogël kam qenë çapkëne dhe familjarët e mi thonin që kjo vajzë do bëhet këngëtare. Kur isha e vogël këndoja nëpër dasmat e fshatit, këndoja e kërceja bashkë me ta. Dalëngadalë vitet kaluan, kur u rrita e ndoqa këtë profesion që e kisha ëndërr që fëmijë.
CMG: Çfarë rryme muzikore dëgjon në kohën tënde të lirë?
Adriana Koreta: Në kohën time të lirë, varet nga gjendja shpirtërore pasi çdo këngë ka një emocione që të fal. Pas muzikës folk gjithmonë dëgjoj baladat, ka një pjesë të shpirtit tim aty.
CMG: Çfarë do i thoje publikut që të ndjek dhe dëgjuesve të Radio Ejani?
Adriana Koreta: Publikun e falenderoj që më përkrah me çdo material të ri që përcjell, faleminderit që e pritët kaq mirë baladën time të fundit "Hija ime". Dëgjuesve të Radio Ejani, ju uroj të jeni mirë në çdo skaj ku dëgjohet kjo radio, ju falenderoj pa masë për përkrahjen tuaj. Faleminderit nga zemra!
Intervistoi: Sava Lena