Rritet numri i llogarive bankare me kosto zero në përdorim nga pensionistët
2024-10-20 10:56:41

Pensioniste (Foto Sotnews)

Zëvendësguvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë dhe kryetare e Komitetit Kombëtar të Pagesave, Luljeta Minxhozi, deklaroi se numri i pensionistëve dhe të rinjve me llogari bankare me kosto zero është shtuar ndjeshëm, shkruan “ATSH”.

Ajo theksoi se ka një interes të shtuar të pensionistëve që kanë emigruar për hapjen e llogarive bankare.

Sipas saj, Banka e Shqipërisë ka një marrëveshje me Fondin e Pensioneve, që parashikon se edhe pensionistët mund të hapin një llogari me kosto zero në bankë dhe të transferojnë pagesat e tyre të pensioneve në bankë.

“Nga sa kemi marrë informacion nga bankat tregtare, është shtuar numri i pensionistëve të cilët po preferojnë të hapin llogari bankare. Interes po shihet sidomos te gjeneratat e fundit që janë familjarë me marrjen e pagës në bankë, por edhe për personat që kanë emigruar dhe kanë arritur moshën e pensionit në emigracion dhe kanë të drejtën të marrin një pension për kontributet që kanë derdhur në Shqipëri. Kjo kategori, sipas raportimit të bankave, janë segmente të popullsisë që janë shumë të interesuar të hapin një llogari digjitale të transferojnë atje fondet e tyre të pensioneve”,- u shpreh Minxhozi.

Ajo tha se ligji për llogaritë bazike i lejon çdo individi mbi 18 vjeç të hapë një llogari bankare dhe ta mbajë atë të hapur pa asnjë kosto për një periudhë 3-vjeçare, derisa të stabilizojë flukset e hyrjes dhe daljes në formën e pagesave.

Sipas saj, ky është një hap shumë i mirë për të rritur përfshirjen financiare dhe synimi është përfshirja e sa më shumë të rinjve në sistemin financiar.

Minxhozi bëri të ditur se 53% e popullsisë ka një llogari bankare, tregues që raporton se është dyfishuar numri i individëve që marrin shërbime në banka.