Sulmet ne Gaza (Foto Panorama)
Pas sulmit izraelit në Gazën veriore, ku u vranë të paktën 33 persona, presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi se ka një shans për të punuar drejt një armëpushimi në Liban, ku Izraeli po lufton militantët e Hezbollahut, por do të jetë më e vështirë në Gaza.
Deklarata e kreut të Shtëpisë së Bardhë u bë ndërsa po largohej nga Berlini, ku u takua me udhëheqësin gjerman, atë francez dhe britanik, shkruan “Panorama”.
Një sulm ajror izraelit ka vrarë të paktën 33 persona, duke përfshirë 21 gra në një kamp refugjatësh në Gazën veriore, sipas autoriteteve të Hamasit.
Nuk kishte asnjë koment nga Izraeli mbi sulmin e raportuar në Jabalia, forcat e të cilit kanë rrethuar kampin me popullsi të dendur për javë të tëra.
Vrasja e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar këtë javë ngjalli shpresa në disa drejtime për përfundimin e luftës, por nënkryetari i grupit tha se Hamasi vetëm do të forcohej.
Sipas një deklarate nga zyra e mediave qeveritare e Hamasit, sulmi ajror i së premtes plagosi gjithashtu më shumë se 85 njerëz, disa në gjendje të rëndë, pasi shtëpitë që i përkisnin tre familjeve në kamp u goditën.