Kryeministri Rama: Biblioteka audiodixhitale përmbush nevojat e nxënësve me vështirësi në shikim
2024-10-20 12:41:53

Biblioteka audiodixhitale (Foto Atsh)

Kryeministri Edi Rama ka dhënë mbështetjen e tij për nismën “Dhuro zërin” që ka në fokus nxënësit dhe personat me aftësi të kufizuara në shikim.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Rama shpreh kënaqësinë e falenderimin për ata të cilët dhuruan zërin e tyre, për të krijuar të parën bibliotekë audiodixhitale që përmbush nevojat për më shumë dije për nxënësit me vështirësi të shikimit, shkruan “ATSH”.

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, njoftoi dy ditë më parë përmes një videoje në rrjetet sociale fillimin e iniciativës së re që quhet “Dhuro Zërin”.

“Dita e Shkopit të Bardhë është dita për ta parë botën nga një perspektivë ndryshe dhe për të menduar se si mund të gjejmë mbështetje, përfshirje dhe zgjidhje inovative për njerëzit që nuk shikojnë, që çdo pengesë ta shndërrojmë në një mundësi për të ardhmen e tyre. Me këtë qëllim nisi dhe fushata jonë “Dhuro zërin”, ku përgjatë një viti u mbështet nga qindra lexues, mes të cilëve edhe figura të njohura të artit, kulturës, gazetarisë dhe sportit, të cilët dhuruan zërin e tyre për të krijuar të parën bibliotekë audiodixhitale që përmbush nevojat për më shumë dije për nxënësit me vështirësi të shikimit. Zëri mund të shkojë aty ku shikimi nuk mundet”,- tha ministrja.

Kësaj nisme i janë bashkuar shumë personalitete të botës së artit, kulturës dhe kinemasë në vend, duke përcjellë njëherësh edhe mesazhe kuptimplota dhe thirrje për artistët e tjerë që të përfshihen në këtë nismë.