
Foto nga VCG
Në betejën e vazhdueshme kundër kancerit të qafës së mitrës, Kina ka bërë vaksinat falas të HPV-së të aksesueshme për rreth 40 për qind të vajzave të moshës 13 deri në 14 vjeç, sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetit.
Që nga viti 2021, 11 rajone të nivelit provincial dhe qytete të shumta kanë ofruar shërbime vaksinimi falas për vajzat e moshës së duhur, tha Shen Haiping, kreu i Departamentit të Shëndetit të Nënave dhe Fëmijëve në një konferencë për shtyp, citon “Xinhua”.
Një total prej 280 milionë ekzaminimesh HPV falas janë kryer në të gjithë Kinën, duke lehtësuar në masë të madhe zbulimin, diagnostikimin dhe trajtimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës, tha Shen.
Autoritetet shëndetësore kanë punuar me organizatat e federatës së grave në ofrimin e ndihmës mjekësore për 275.000 pacientë me kancer të qafës së mitrës në vështirësi financiare, tha zyrtari.
Sipas komisionit, kanceri i qafës së mitrës është malinjiteti më i shpeshtë gjinekologjik. Në vitin 2022 kishte 151,000 raste të reja të kancerit të qafës së mitrës në Kinë, me një normë incidence prej 13.8 për 100.000, duke u renditur në vendin e pestë në mesin e llojeve të kancerit te gratë.
Në vitin 2023, vendi nisi një fushatë për të përshpejtuar eliminimin e kancerit të qafës së mitrës në përgjigje të thirrjes së komunitetit ndërkombëtar për të ulur shkallën e incidencës në 4 për 100.000 banorë deri në fund të shekullit, shtoi Shen.
