Apolonia (Foto Topchannel)
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, publikoi shifrat zyrtare që tregojnë për rritjen e vizitueshmërisë nëpër kala, muze dhe parqet arkeologjike, shkruan “ATSH”.
Sipas të dhënave, nga janari deri në shtator, monumentet e kulturës dhe objekte të trashëgimisë kulturore u vizituan prej 1.092.584 personash, shifër 35% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit 2023. Sitet kulturore patën 40% më shumë turistë të huaj dhe 31% më shumë vizitorë vendas.
Listën e destinacioneve më të vizituara e kryeson Kalaja e Gjirokastrës me 196.515 vizitorë. Pas saj renditet Parku Kombëtar i Butrintit me 127.753 vizitorë dhe në vend të tretë për nga vizitueshmëria qëndron Muzeu “Gjergj Kastrioti”, në Krujë, me 100,874 vizitorë.
Përkthyer në shifra, kjo vizitueshmëri e lartë ka sjellë rreth 394 milionë lekë të ardhura, gati 41% më shumë se në 2023-shin.
Nga 367 mijë vizitorë të muzeve, shumica e tyre preferuan Qendrën Muzeore Krujë, Muzeun “Shtëpia me gjethe” në Tiranë dhe Qendrën e Muzeumeve në Berat.
Ndër parqet arkeologjike kryeson Butrinti me 127 mijë vizitorë, ndjekur nga Shkodra dhe Apolonia.