Biden (Foto Atsh)
Presidenti amerikan, Joe Biden, e cilësoi Gjermaninë si aleaten më të afërt dhe më të rëndësishme të SHBA-së, gjatë vizitës së tij në Berlin, ku u takua me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer.
Bisedimet e tyre u fokusuan në çështjet e politikës së jashtme, duke përfshirë konfliktin e vazhdueshëm Rusi-Ukrainë dhe atë në Lindjen e Mesme, shkruan “ATSH”.
Përpara bisedimeve, presidenti Biden vlerësoi kancelarin gjerman, Scholz për mbështetjen e Ukrainës, duke thënë se Gjermania u ngrit për të bërë atë që duhej duke pasur parasysh rrethanat e konfliktit.
“Ju treguat mençurinë për të kuptuar se ky konflikt po shënonte një pikë kthese në histori. SHBA-ja dhe Gjermania janë dy mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës në përpjekjet e vendit për mbijetesë si një komb i lirë dhe i pavarur”,- tha Biden.
Scholz vlerësoi udhëheqjen e Biden për bashkimin e aleancës së NATO-s dhe forcimin e mbështetjes për Ukrainën dhe tha se Gjermania do të qëndrojë në krah të Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
“Ukraina do të ketë nevojë për mbështetje të mëtejshme përpara dimrit të tretë të konfliktit. Dhe ndërsa kostoja ka të ngjarë të jetë e rëndësishme për aleatët perëndimorë, ajo po zbehet në krahasim me koston e jetesës në një botë ku mbizotëron agresioni”,- tha Biden.