Foto nga VCG
Presidentja e Komisionit Europian (KE), Ursula von der Leyen, nis këtë javë një tur në vendet e Ballkanit Perëndimor, për të shprehur përkushtimin e saj dhe të komisionit për angazhim në afrimin e rajonit drejt Bashkimit Europian, shkruan “RTSH”.
Etapa e parë e turit do të jetë Shqipëria, ku von der Leyen do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, si dhe do të marrë pjesë në përurimin e Kampusit të Kolegjit Europian në Tiranë.
Më pas ajo do të udhëtojë drejt Maqedonisë së Veriut dhe në Bosnjë-Hercegovinë, ku do të vizitojë edhe zonat e prekura nga përmbytjet e 4 tetorit, dhe do të shpreh gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar në përballje me pasojat.
Turi ballkanik do të vijojë në Serbi, Kosovë dhe Malin e Zi.
Sipas paralajmërimeve nga KE-ja, gjatë vizitës në Rajon, von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që BE-ja po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.
Vetëm disa ditë pas vizitës së saj, Komisioni Europian pritet të miratojë dhe publikojë paketën vjetore të zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet e përfshira në këtë proces.
Fokusin e veçantë von der Leyen do të ketë në paketën e BE-së për rritje dhe reforma në Ballkanin Perëndimor, e cila parasheh ndihmë financiare prej 6 miliardë euro për këto vende.