Këngëtari kërçovar Uran Dervishi së shpejti me një baladë
2024-10-19 12:31:18

Uran Dervishi (Foto personale)

Uran Dervishi është këngëtar i muzikës popullore nga qyteti i Kërçovës, Maqedonia e Veriut. Ai muzikën e ka trashëguar nga familja pasi  babai i tij Aziz Dervishi është një këngëtar i njohur dhe i vlerësuar në muzikën popullore shqiptare. Urani ka realizuar mjaft këngë si solist, por dhe duete me këngëtarë të tjerë, që janë pritur mirë nga artdashësit. Ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme muzikore, por dhe në gëzimet familjare. Në një intervistë për Radio Ejani Uran Dervishi tregon për fillimet e tij në muzikë, bashkëpunimet dhe projektet në vazhdim.

CMG: Si kanë qenë fillimet tuaja në muzikën popullore?

Uran Dervishi: Hapat e para si çdo fillestar në profesion dhe për mua kanë qenë të vështira, sepse ishte një rrugë që nuk e di sesi të pret publiku. Kur je i varur prej publikut e ke problem se çfarë duhet t’i servirësh atij. Gjithashtu edhe në çfarë zhanri duhet të këndosh është pak problem, por me këmbëngulje, motivim dhe kreativitet njeriu ja del. Tashmë jam më i hamornizuar në profesion.

CMG: Ti këtë traditë muzikore e ke trashëguar nga familja, sepse dhe babai juaj Aziz Dervishi është një këngëtar mjaft i njohur. Si ndjehesh që e ke trashëguar këtë pasion për këngën nga babai?

Uran Dervishi: Njeriu ndjehet mirë, por dhe me përgjegjësi kur je djalë i një artisti si Aziz Dervishi. Unë e kam patur të vështirë për të mos dalë nga rruga që ka kënduar babai. Gjithashtu gjyshi dhe xhaxhai im kanë kënduar, e kemi si traditë familjare këngën burimore kërçovare dhe atë të pastër shkqiptare. Duhet të kesh shumë kujdes për ta ruajtur me xhelozi të madhe, dhe mos ta turpërosh një karrierë të madhe të babait.

CMG: Keni realizuar ndonjë duet me babain tuaj, këngëtarin Aziz Dervishi?

Uran Dervishi: Kam realizuar dy duete me babin, që publiku i ka pritur mirë. Është një këngë patriotike dhe një këngë burimore, por kemi në plan së bashku dhe disa këngë popullore, si për kujtim me babin.

CMG: Përveç dueteve me babain ke bashkëpunuar dhe me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?

Uran Dervishi: Kam bashkëpunuar me shumë yje të estradës, si Lori, Miranda Hashanin, Gjyle Çollakun, Violeta Kajtazin, këngëtarin e njohur nga Kërçova Dulin dhe shumë bashkëpunime të tjera. Këto bashkëpunime i kam bërë me artistë të mirëfilltë, që  publiku i ka pritur shumë mirë. Dua t’i përshëndes të gjithë kolegët, që kanë qenë të hapur për bashkëpunime.

CMG: Cilat nga këngët tuaja janë pëlqyer më shumë nga publiku?

Uran Dervishi: Kam disa këngë që janë muzikë e mirëfilltë, por nuk janë shumë të klikuara, disa të tjera janë më shumë të klikuara. Unë vetë pëlqej këngën time, baladën “Shoku im” me tekst dhe muzikë nga maestro Naim Gjoshi i Shqipërisë. Ajo është një këngë me një mesazh shumë të dhimbshëm dhe me motive artistike. Unë e vlerësoj këtë këngë, ndërsa publiku ka vlerësuar disa këngë të tjera që janë më ritmike. Sidoqoftë mua publiku më ka pritur mirë, si ai i Kërçovës, Pollogut, Gostivarit dhe Tetovës.

Uran Dervishi duke kenduar (Foto personale)

Uran Dervishi gjate nje aktiviteti (Foto personale)

CMG: Si ke mundur ta ruash të pastër në interpretim këngën e mirëfilltë popullore shqiptare?

Uran Dervishi: Unë jam rritur me këto këngë dhe kur kam gabuar ndonjëherë babai më ka qortuar. Kam dëgjuar këngëtarë të mirëfilltë të Shqipërisë së mesme, si Fitnete Rexha, Hafsa Zyberin, Merita Halilin, por dhe shumë këngëtarë të njohur nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Pra, kam marrë nga këngëtarë të mirëfilltë diçka të bukur. Unë kam dëgjuar dhe kam patur idhull këngëtarë të mirëfilltë dhe në këtë format kam interpretuar këngën e bukur shqipe, aq sa kam mundur.

CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet tuaja të fundit muzikore?

Uran Dervishi: Kam patur shumë angazhime, sepse zakonisht sezoni i gëzimeve familjare tek ne në periudhën e verës është i ngjeshur kur vijnë emigrantët për t’u bërë bashkë në dasëm. Ka qenë një sezon i ngarkuar, por ja dolëm mirrë. Sezoni i dasmave dhe gëzimeveve familjare është një lodhje e bukur, sepse takohesh me njerëz në këto gëzime.

CMG: Cilën nga trevat e Shqipërisë preferon të interpretosh më tepër, përveç këngëve të trevës së Kërçovës?

Uran Dervishi: Preferoj më shumë këngët e Shqipërisë së mesme, dhe mendoj se i këndoj pak më mirë. Gjithashtu dhe këngët e jugut të Shqipërisë janë të mira, por janë pak më të vështira për t’i kënduar.

CMG: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e produksioneve muzikore?

Uran Dervishi: Kam bashkëpunuar me Naim Gjoshin, Arsim Stafaj, Ploratin nga Shkupi, Meti Neziri nga Gostivari, Qamil Aliun nga Kërçova, Artan Jusufin, dhe tek studio e Dulit kam bërë dy projekte. Gjithashtu kam bashkëpunuar dhe me disa kompozitorë kosovarë. Ndërsa Adriatik Hasani ka punuar për realizimin e vidoklipeve. Kam bashkëpunuar me një ekip shumë të madh të cilët i përshëndes, duke ju uruar fat dhe suksese.

CMG: Si je pritur nga publiku i diasporës në  koncerte?

Uran Dervishi: Publiku i diasporës zakonisht na ka pritur mirë, sepse kur na shohin atje shohin një pjesë të vendlindjes së tyre. Për mua diaspora është çelësi i kombit dhe i kulturës shqiptare.

CMG: Ke ndonjë këngëtar të muzikës popullore idhull?

Uran Dervishi: Kam shumë këngëtarë idhuj, por do të veçoja Qamilin e Vogël nga Gjakova.

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?

Uran Dervishi: Jam duke pregatitur një baladë me motive dashurie dhe brenda dy-tre muajsh do të jetë gati dhe videoklipi i kësaj kënge, shpresoj që publiku ta pëlqejë.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Uran Dervishi: Unë i përshëndes të gjithë, duke ju uruar fat e mbarësi.

Intervistoi: Gazmend Agaj