BE kërkon përshpejtojë kthimet e emigrantëve në vendet e origjinës
2024-10-19 10:33:15

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Emigracioni mori sërish vëmendjen e liderëve te BE-së në mbledhjen e Këshillit të Europës në Bruksel. Liderët e bllokut kërkuan një legjislacion të ri urgjent për të rritur dhe përshpejtuar kthimet e emigrantëve, shkruan “RTSH”.

“Këshilli i Europës bën thirrje për veprime të vendosura në të gjitha nivelet për të lehtësuar, rritur dhe përshpejtuar largimet e emigrantëve nga vendet e Bashkimi Europian”,- thuhet në konkluzionet e samitit, ku i kërkohet Komisionit Europian të paraqesë legjislacionin e ri.

Në dokument thuhet se duhet të konsiderohen gjithashtu mënyra të reja për të parandaluar dhe luftuar emigracionin e parregullt, në një referencë të dukshme ndaj propozimeve të diskutueshme për krijimin e qendrave të pritjes jashtë Bashkimit Europian, te cilat nuk u përmendën konkretisht.

“Tani po shikojmë shumë nga ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në BE, pasi vetëm 20% e atyre që kanë një vendim kthimi janë kthyer realisht në vendet e tyre të origjinës. Së shpejti do të paraqesim një propozim të ri legjislativ për këtë çështje”,- tha presidentja e KE-së, Ursula von Der Leyen, në një konferencë shtypi. 

Ajo shtoi se ide të tjera që u diskutuan në samit përfshinin rishikimin e konceptit të vendit të tretë të sigurt, ku azilkërkuesit mund të kthehen ligjërisht dhe të punojnë.

Në një letër këtë javë, Ursula von der Leyen premtoi veprim dhe tha se BE-ja do të nxjerrë mësime nga marrëveshja për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.