Zhvillohet në Tiranë takimi me ekspertë të sigurisë kibernetike
2024-10-19 10:09:52

Siguria kibernetike (Foto Atsh)

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Dorian Tola, mori pjesë në punimet e konferencës “Balkan Secure 2.0”, që u mbajt në Tiranë, për përmirësimin e kapaciteteve të reagimit ndaj incidenteve kibernetike në Ballkanin Perëndimor, shkruan “ATSH”.

Konferenca dyditore bashkoi profesionistë nga i gjithë rajoni, përfaqësues të CERT/CSIRT-s dhe ekspertë të fushës, për të ndarë praktikat më të mira dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërkufitar.

“Në një kohë kur kërcënimet kibernetike po rriten në kompleksitet dhe shkallëzim, më e rëndësishme se kurrë është që të jemi të koordinuar dhe të përgatitur”,- deklaroi zv.ministri Tola.

“BalkanSecure 2.0” synon të krijojë një komunitet të fortë dhe të bashkuar për të përballuar sfidat e sigurisë kibernetike.

Falë mbështetjes së “Sense Cyber Research Center”, “Chevening Alumni Kosovo” dhe “FCDO” të Mbretërisë së Bashkuar, ky bashkëpunim ofron mundësinë për një Ballkan Perëndimor me të sigurt.