Tabaku: Sfida kryesore e integrimit në BE mbetet te shteti i së drejtës
2024-10-19 10:53:47

Jorida Tabaku (Foto Atsh)

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, njëkohësisht Kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit dhe e Komisionit parlamentar për Çështjet me BE-në, deklaroi se sfida kryesore në procesin e integrimit europian të Shqipërisë mbetet te shteti i së drejtës.

Në një intervistë televizive, cituar nga “ATSH”, Tabaku tha se duhet ndryshuar qasja në marrëdhënien ndaj Bashkimit Europian, ndërsa theksoi se legislacioni i BE-së duhet të përkthehet në zbatim rigoroz të ligjit.

“Ne diskutojmë sot për kriteret politike sepse janë më të prekshme dhe janë pjesë e debatit politik të përditshëm. Por, çështjet më të vështira janë peshkimi, siguria ushqimore, bujqësia, e gjithë situata me cilësinë e produkteve dhe tregjeve, pra, janë gjërat konkrete. Mendoj që sfida kryesore është te shteti i së drejtës, tek aftësia që do të kemi ne që të gjithë këtë legjislacion të BE-së ta përkthejmë në zbatim rigoroz të ligjit”,- u shpreh Tabaku.

Tabaku tha se së fundi është treguar me fakte se PD-ja e ka mbështetur procesin e integrimit, me çdo sfidë që po kalon vendi.