OKB: Çdo transferim me forcë i civilëve nga veriu i Gazës përbën krim lufte
2024-10-19 11:13:09

Zyrtari i OKB-se (Foto Panorama)

Shefi për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara, Volker Turk, paralajmëroi Izraelin se çdo transferim me forcë e në shkallë të gjerë i civilëve nga veriu i Gazës do të përbënte krim lufte, nëse nuk bëhet për arsye të domosdoshme ushtarake, shkruan “Panorama”.

“Urdhrat për evakuim që lëshohen nga Izraeli duket se janë të menduara që ta shkëpusin krejtësisht Gazën veriore nga pjesa tjetër e territorit”,- tha Turk gjatë një konference për media në selinë e OKB-së në Nju Jork.

“Përderisa bombardimet dhe sulmet e tjera po vazhdojnë, ka shqetësime serioze për një transferimin me forcë e në shkallë të gjerë të civilëve që nuk përmbush kërkesat sipas ligjit ndërkombëtar për evakuimin mbi arsye të domosdoshme ushtarake. Transferimi me forcë i një pjese të madhe të popullsisë së Gazës veriore do të përbënte krim lufte”,- tha ai.

Izraeli po vazhdon ofensivën kundër Hamasit në Gaza, qëkur grupi terrorist kreu sulm ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë mijëra persona dhe u rrëmbyen qindra të tjerë. Ndërkaq, si pasojë e ofensivës hakmarrëse izraelite në Gaza janë vrarë më shumë se 42.000 persona.

Ushtria izraelite ka intensifikuar operacionet e saj në dhjetë ditët e fundit në veri të Gazës, ku qindra mijëra persona janë bllokuar në mes të luftimeve. Në këtë pjesë po ashtu është vështirësuar dërgimi i ndihmave humanitare.

“I bëj thirrje Izraelit që të lehtësojë menjëherë dërgimin e ndihmave humanitare, të cilat janë të nevojshme që të arrijnë në të gjitha pjesët e Gazës”,- tha Turk.

Izraeli ka bërë të ditur se synon ta shkatërrojë Hamasin.

Më 17 tetor, autoritetet izraelite konfirmuan se gjatë një operacioni ushtarak në Gaza kanë vrarë liderin e Hamasit, Yahya Sinwar. Ai është lideri i dytë i grupit që vritet nga Izraeli në më pak se tre muaj.