Kremlini (Foto Atsh)
Parlamenti rus ka vendosur një ndalim për promovimin e stilit të jetesës pa fëmijë. Masat e miratuara nga Dhoma e Ulët, ose Duma e Shtetit, janë një përgjigje ndaj shqetësimeve se në vend po lindin shumë pak fëmijë, shkruan “ATSH”.
Sipas vendimit, njerëzit që mbështesin mungesën e fëmijëve në Rusi së shpejti mund të përballen me gjoba të rënda, që variojnë nga 400.000 rubla (4100 dollarë) për qytetarët e zakonshëm, deri në 5 milionë rubla për personat juridikë.
Një shumicë e madhe e deputetëve votuan pro masave. Gjatë diskutimit u tha se ideologjia e mungesës së fëmijëve çon në rënien e vlerave tradicionale në shoqëri dhe përfundimisht në zhdukjen e popullsisë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, është ankuar prej vitesh për rënien e shkallës së lindjeve në Rusi. Deklarata më e fundit zyrtare e tij për këtë çështje ishte se familjet ruse duhet të kenë tre ose më shumë fëmijë dhe se kjo duhej të ishte normë.
Ka disa arsye për rënien e shkallës së lindjeve në Rusi. Për shembull, në vitet 1990, të cilat u karakterizuan nga varfëria dhe kaosi, lindën relativisht pak fëmijë që tani janë mjaft të rritur për të pasur vetë fëmijë.
Sipas shifrave të përpiluara nga agjencia e statistikave “Rosstat” në vitin 2023, gratë në Rusi lindin mesatarisht 1.41 fëmijë.