INSTAT: Eksportet shënuan rritje me 36.6% në shtator
2024-10-19 11:59:00

Porti i Durresit (Foto Atsh)

Në raportin për Tregtinë e Jashtme të publikuar nga Instituti shqiptar i Statistikave (INSTAT) bëhet e ditur se eksportet e mallrave në muajin shtator shënuan rritje me 36.6%, krahasuar me muajin gusht, ndërsa rezultuan me ulje prej 8.5%, krahasuar me shtatorin e një viti më parë, citon “ATSH”.

Sipas raportit, eksportet në muajin shtator arritën vlerën 31 miliardë lekë.

Në uljen e eksporteve prej 8.5% kanë ndikuar grupet “tekstile dhe këpucë” me 5.5 pikë përqindje, “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 2.1 pikë përqindje, “materiale ndërtimi dhe metale” me 0.9 pikë përqindje, etj.

Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet “ushqime, pije, duhan” me 0.5 pikë përqindje dhe “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 0.4 pikë përqindje.

Ndërkohë, importet e mallrave shënuan rritje me 3% në shtator, krahasuar me muajin gusht, por ishin 3.1% më të ulëta krahasuar me shtatorin e 2023-shit.

Në vlerë ato llogariten 71 miliardë lekë.

Të dhënat e INSTAT-it treguan se deficiti tregtar i shtatorit është 40 miliardë, duke u rritur me 1.5% krahasuar me shtatorin e 2023-shit dhe duke u ulur me 13.2% në krahasim me gushtin e 2024-s.

Për periudhën janar-shtator eksportet e mallrave arritën vlerën 286 miliardë lekë, duke u ulur me 14.2% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 666 miliardë lekë, duke u rritur me 2.4 % krahasuar me një vit më parë.