Majlinda Dhuka (Foto Rtsh)
Moment historik e cilësoi kryenegociatorja Majlinda Dhuka çeljen e negociatave për grupkapitullin e parë Shqipëri-BE, duke theksuar se rruga e vendit drejt anëtarësimit tani është më e hapur se më parë.
Në një intervistë për “RTSH”-në, Dhuka deklaroi se thirrja e Konferencës Ndërqeveritare erdhi si rezultat i përmbushjes me sukses së kushteve të nevojshme për hapjen e grupkapitullit të parë që ka të bëjë me të drejtat themelore. Ajo theksoi se së shpejti pritet të mbahet Konferenca e Tretë Ndërqeveritare BE-Shqipëri.
“Shqipëria aspiron të ketë një konferencë tjetër ndërqeveritare, për të vazhduar me çeljen e kapitujve të tjerë e me radhë përgjatë vitit 2025 e më tej”,- tha Dhuka.
Nisja e negociatave për anëtarësim në BE do të thotë një proces i cili shoqërohet me transformimin politik, ekonomik dhe social të vendit. Për këtë, qeveria ka gati një plan reformash, që shtrihet deri në vitin 2027.
“Në kuadër të çeljes së negociatave për anëtarësimin në BE, Shqipëria ka përgatitur një axhendë kombëtare reformash 2024-2027. Parashikohen një sërë reformash të rëndësishme dhe transformuese, të cilat do të forcojnë sidomos ekonominë dhe rritjen, por njëkohësisht do të krijojnë mundësi të reja për qytetarët dhe bizneset”,- tha Dhuka.