Ministria e Brendshme nis punën për Observatorin Kombëtar të Drogave
2024-10-19 10:08:11

Ministria e Brendshme (Foto Rtsh)

Ministria e Brendshme ka nisur punën për ngritjen dhe funksionimin e Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm mbi Substancat e reja Psikoaktive dhe Observatorit Kombëtar të Drogave.

Të dhëna nga ky dikaster bëjnë të ditur se Ministria e Brendshme po bashkëpunon me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për hartimin e planeve konkrete që kanë të bëjnë me lëndët narkotike, shkruan “RTSH”.

Këtë proces po e drejton zv.ministri Besfort Lamallari, i cili ka mbledhur aktorët dhe faktorët për të diskutuar masat e nevojshme për ngritjen dhe funksionimin e këtyre dy mekanizmave kyçe, në mbrojtje të qytetarëve dhe shëndetit publik.

Afati përfundimtar për krijimin e këtyre mekanizmave, sipas marrëveshjes së arritur me Komisionin Europian, është viti 2025.

Më 15 shtator, Shqipëria çeli bisedimet për grupkapitullin e parë për negociatat me Bashkimin Europian.

Grupkapitulli i parë, si një nga më të rëndësishmit, me Shqipërinë përfshin disa fusha thelbësore, si drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik, si dhe reforma e administratës publike.