Pamje nga bregdeti shqiptar (Foto Shqiptarja.com)
Sipas të dhënave nga INSTAT, në nëntëmujorin janar-shtator 2024, në Shqipëri hynë 9.7 milionë vizitorë të huaj, ose 1.4 milionë vizitorë, apo 17 përqind më shumë se e njëjta periudhë një vit më parë.
Sigurisht, jo të gjithë ishin turistë. Madje, një pjesë e mirë e qindra mijërave kosovarëve që na vizituan edhe këtë vit, u drejtuan për në aeroportin e Rinasit. Qytetarët e Kosoves po shijojnë lirinë e të udhëtuarit pa vizë në të 29 vendet evropiane të zonës Schengen. Nga Shqipëria tani mund të fluturosh në 136 qytete në Evropë.
Megjithatë, turizmi ynë, edhe pse me një numër më të pakët kosovarësh në plazhet tona, nuk e vuajti shumë këtë ndryshim. Plot 4.5 milionë vizitorë të huaj dhe vendas vizituan zonat e mbrojtura dhe pasuritë kombëtare në periudhën janar-shtator të këtij viti dhe prej tyre, mbi një milion të huaj shkuan në qendrat arkeologjike dhe kulturore të vendit.
Dhe të gjithë këta janë mirëfilli turistë, pasi ai që vjen për të fluturuar nga Rinasi nuk viziton zonat e mbrojtura dhe qendrat arkeologjike e kulturore. Turistët në këto zona janë më shtim 18 përqind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Një tjetër karakteristikë e turizmit të Shqipërisë është zgjerimi i territorit dhe kohës kur zhvillohet turizmi. Tani, gradualisht prania e turistëve të huaj po vihet re në të gjitha stinët dhe në të gjitha anët e vendit. Ke turiste të huaj në qendrat e qyteteve, edhe ato më të voglat dhe të largëtat. Ke turistë të huaj në malet tona, në fshatrat më të thella, me bukuri natyrore mahnitëse.
Ndërkohë, turizmi ynë nuk do të qëndrojë më ai i plazheve të pakontrolluara. Me 15 tetor 2024, Qeveria miratoi nje vendim te saj, me një skemë të re të menaxhimit të hapësirave publike në plazhe. Në çdo 1 km plazh, do të ketë minimumi 300 metra plazh publik. Qytetarëve me të ardhura modeste do t’u kthehet keshtu bregdeti i Jugut, i humbur mes pseudo-ndarjeve private të plazheve, ku deri tani çdo çadër ka kushtuar mesatarisht 1-2 mijë lekë ose 10-20 euro në ditë.
Skema e re parashikon që të drejtën për shezlongje private do ta kenë vetëm hotelet, në varësi të numrit të dhomave dhe me distancë nga njëri tjetri. Çadrat në të gjithë vijën bregdetare do të menaxhohen nga bashkitë. Ato do të kenë një çmim tavan dhe të arsyeshëm, mbi të cilin nuk mund të abuzohet më nga baret dhe restorantet buzë detit. Bashkitë, si për shembull ajo e Shkodrës, që tani kanë bërë kërkesë që hapësirat publike të dala nga ky Vendim i Këshillit të Ministrave, të administrohen prej tyre, pasi kërkohet një investim fillestar ose i përhershëm për infrastrukturën e këtyre plazheve publike dhe mirëmbajtjen e tyre(rërë ose terren i pastruar, gjelbërim përreth, dushe, ndriçim, energji elektrike, etj.)
Po më 15 tetor 2024, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit hodhi për diskutim publik Strategjinë afatgjatë të Turizmit 2025-2030. Përmes zbatimit të kësaj strategjie, në këto gjashtë vite Qeveria parashikon të rrisë netëqëndrimet e çdo turisti në hotele me 1.4 herë, të shtojë me 4 herë të ardhurat në Buxhetin e Shtetit nga formalizimi i sektorit, si dhe ta rrisë me 1.7 here numrin e të rinjve që do të vazhdojnë studimet në një prej programeve të dedikuara te turizmit, në të gjithë sistemin tonë arsimor, të mesëm profesional dhe të lartë.
Ndërkohë, për ta menaxhuar më mirë, Strategjia e Turizmit 2025-2030 e ndan vendin në gjashtë rajone turistike: Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, Rajoni turistik verior i brendshëm, Rajoni turistik i Tiranës, Rajoni Turistik Qendror me Elbasanin, Krujen dhe Fierin si kryeqendra, Rajoni turistik i bregdetit të Jonit dhe Rajoni turistik jugor i brendshëm, me kryeqendra Korçën dhe Gjirokastrën. Shqipëria kapërcen kështu një zhvillim të mëparshëm disi kaotik në turizëm dhe kalon në një zhvillim të qendrueshëm dhe të planifikuar mirë.
Besnik Vathi në intervistë për CMG
CMG: Z. Vathi, tani që kemi disa të dhëna për fluksin e vizitorëve të huaj në vend dhe mund të bëjmë një bilanc të sezonit turistik të verës 2024, a mund të themi me plot gojën që ky përbën vitin më të mirë turistik të Shqipërisë?
Besnik Vathi: Unë mendoj që edhe ky vit është në vazhdën e rritjes nga viti në vit të turizmit, që nga koha pas Pandemisë së Covid-19.
Natyrshëm që pritej një rritje e madhe e numrit të turistëve të huaj në Shqipëri. Edhe në raport me vitin 2023, ky numër është rritur dhe besoj se edhe nga shifrat e dala për vizitorët e huaj dhe brenda tyre, numri i turistëve është rritur.
Kjo, pavarësisht se vazhdojmë akoma të mos e raportojmë numrin e turistëve. U premtua se në pranverën e këtij viti do të fillonte punën njësia statistikore e dedikuar për këtë qëllim. Ajo duhet të na nxjerrë shifrat reale të turistëve, në mënyrë që ne të gjykojmë nëse është rritur apo jo numri i tyre, pavarësisht perceptimeve apo deduksioneve totale. Kjo njësi duhet ngritur sa më shpejt.
CMG: Biletat e lira të udhëtimit ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit kanë shtuar ndjeshëm numrin e vizitorëve nga Azia e Largët dhe nga Kanadaja. Ndërkohë, edhe numri i turistëve evropianoperëndimorë është shtuar ndjeshëm këtë vit. Ka ndikuar kjo në shtimin e aktivitetit turistik?
Besnik Vathi: Une mendoj që së pari, rritjen më të madhe Shqipëria e ka nga emigracioni i saj.
Nëse ne jemi vendi që kemi numrin më të lartë të emigrantëve në Evropë, në raport me popullsinë, si dhe kemi të ikur në 25-30 vitet e fundit, ky është emigracion që ka akoma lidhje të forta me Shqipërinë. Eshtë një emigracion që ka patur kohë edhe të natyralizohet, pra emigrantët të marrin pasaportat e vendeve ku jetojnë. Rikthimi i tyre për vizitë në Shqipëri, bën që nga viti në vit të kemi rritje të numrit të vizitorëve të huaj, pasi paraqesin në kufi pasaportën e huaj të vendit ku punojnë e jetojnë. Mirëpo këta vizitorë të huaj në një pjesë të mirë janë me kombesi shqiptare dhe jetojnë jashtë. Një pjesë e tyre mund të mos vijnë për turizëm, por thjesht të shohin të afërmit e tyre.
Rritja e destinacioneve dhe e fluturimeve me çmime të ulta ka bërë që lëvizja e tyre për në atdhe të jetë më e madhe, pra 3-4 herë më shumë.
Së dyti, kemi një numër në rritje të shtetasve europianë, të cilët, më në fund e shohin tregun turistik të Shqipërisë të futur në tregun “low cost”( me çmime të ulta) dhe ajo shtesë e popullsisë europiane që lëviz në tregun europian me çmime të lira, për fundjavë, për periudha të shkurtra por jo vetëm, ka bërë që edhe Shqipëria të përfitojë nga ky fluks.
Kjo na sjell rritjen më të madhe të vizitorëve tek ne, për shkak të futjes vonë të Shqipërisë në tregun europian të fluturimeve dhe vizitave “low cost”.
Ndërkohë, Shqipëria ka patur fatin të ketë fluturime direkte nga Lindja e Mesme, nga disa vende të saj. Kjo bën që turistë nga Lindja Mesme të kemi për herë të parë, pasi kur ishte fluturimi me transit, ai kishte kosto të lartë dhe numri i tyre ishte shumë i ulët.
Tani vijnë me fluturim direkt dhe numri i tyre është rritur. Tani është rasti për ne që të shfrytëzojmë edhe çmimet e lira të ofruara nga destinacionet tona turistike, por edhe lidhje më të shpejta edhe nga tregu aziatik.
Natyrshëm që tregu kanadez dhe ai amerikan, përveç rritjes së emigrantëve shqiptarë që jetojnë atje dhe fluturojnë për në atdhe, nuk besoj se ka rritje si treg me kombësi të ndryshme.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro (Foto RTSH)
CMG: Disa nga operatorët tanë turistikë kanë shprehur shqetësim, për faktin që një pjesë e mirë e qytetarëve nga Kosova kanë zgjedhur destinacione jashtë Shqipërisë, me liberalizimin e vizave Schengen për ta. E ndani dhe ju këtë shqetësim?
Besnik Vathi: Unë e ndaj si shqetësim dhe e kam thënë edhe më përpara. Është apo nuk është turizmi shqiptar tërheqës për shtetasit e Kosovës, kjo kuptohet kur ata të kenë lirinë e udhëtimit pa viza edhe në vende të tjera, përveç Shqipërisë.
Në këtë periudhë vërtetohet saktë së turizmi shqiptar kërkon kohë për shtetasit e Kosovës, për t’i tërhequr me cilësinë dhe standardin e shërbimeve të tij. Ne duhet të jemi më atraktivë, më tërheqës me çmime, shërbime, dhe jo me detyrim-përcaktim, siç ata e kishin më parë.
Tani, turistët kosovarë, duke qenë të lirë të zgjedhin, apo më parë, të privuar për të lëvizur dhe për të zgjedhur përpara këtij viti të liberalizimit për ta të vizave Schengen, natyrshëm që tani kanë mundësinë dhe kohën të lëvizin për turizëm jashtë vendit të tyre dhe jo domosdoshmërisht vetëm në Shqipëri.
Nga ana tjetër, në regjistrimet që kemi, i kemi të gjithë ata kosovarë që shkuan në vende të ndryshme në Europën e zonës Schengen, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit.
Kjo duhet të ndryshojë, pasi ne i rregjistrojmë si turistë të huaj edhe tani, ngaqë janë vizitorë të huaj tek ne. Edhe kur kthehen nëpërmjet aeroportit të Rinasit dhe ikin përsëri nëpërmjet Shqipërisë, i llogarisim si vizitorë të huaj. Pra, kur kthehen nga Europa, ne i llogarisim dy herë vizitorë të huaj. Por ata nuk janë turistë për në. Janë thjesht dhe vetëm vizitorë të huaj.
Duhet që Shqipëria të ketë regjistrime të sakta mbi numrin e turistëve të huaj, dhe jo thjesht vetëm vizitorë të huaj. E përsëris këtë, pasi Ministria e Turizmit është e turizmit, dhe jo e vizitorëve të huaj apo e turistëve nga Kosova që vizitojnë Europën.
CMG: Qeveria këtë javë kaloi për diskutim publik Strategjinë e Turizmit 2025-2030. Në këto gjashtë vite, ajo mendon të rrisë netëqëndrimet e çdo turisti në hotele me 138 përqind, shtim me 4 herë të të ardhurave në Buxhetin e Shtetit nga formalizimi i sektorit, si dhe rritje me 65 përqind të numrit të të rinjve që do të vazhdojnë studimet e larta në një prej programeve të dedikuara të turizmit në të gjithë sistemin tonë arsimor të mesëm dhe të lartë. Ju duken objektiva te arritshem?
Besnik Vathi: Mua më duken objektiva të arritshëm dhe të kuptueshëm. Ndoshta Ministria e Turizmit dhe Mjedisit shifrat e informalitetit i ka më të sakta. Nëse ata planifikojne rritje të të ardhurave, kuptohet që do të jetë edhe nga formalizimi i ekonomisë.
Rritja e të ardhurave mendoj që ka patur dhe ka edhe pasaktësitë e veta. Ne marrim numrin e vizitorëve të huaj, kalkulojmë shpenzimet edhe i japim një rritje shifrës së të ardhurave.
Ndërkohë kur Shqipëria ka hyrje të monedhës së huaj edhe nga emigracioni përmes dërgesave të emigrantëve për familjarët këtu, apo valutë nga investimet e huaja direkte. Nganjëherë, ia japim një shifër industrisë së turizmit dhe ia heqim remitancave apo formës së hyrjes së parase, madje edhe të parasë informale në ekonominë shqiptare.
Do duhet të kishim raportime më të sakta. Shqetësimi që kam unë në lidhje me Strategjinë e re, është se, sikurse e thashë më lart, ajo nuk mund të jetë e plotë, nëse flitet vetëm për vizitorë të huaj.
Turistë të huaj në Tiranë (Foto Real Story)
CMG: Strategjia e re e Turizmit 2025-2030 e ka ndarë vendin në gjashtë rajone turistike: Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, Rajoni turistik verior i brendshëm, Rajoni turistik i Tiranës, Rajoni Turistik Qendror, Rajoni turistik i bregdetit të Jonit dhe Rajoni turistik jugor i brendshëm, për ta menaxhuar më mirë produktin turistik të vendit. A është qasja e duhur, sipas jush?
Besnik Vathi: Një ndër format që është menduar është që të ndahet në rajone, dhe kjo ndarje i jep ato karakteristikat që ka çdo rajon.
Mendoj se ndoshta edhe menaxhimi i produkeve turistike në rajone, do të jetë më i saktë dhe më i mirë, pasi rajonet kanë veçori të ndryshme dhe produkti turistik i rajonit ka problematika dhe karakteristika të ndryshme.
Gjykoj se me një vendim të vetëm nuk mund të zgjidhet problematika e çdo rajoni, nëse nuk shihet veçoria e tij, prandaj jam për ndarjen e bërë në gjashtë rajone.
CMG: Një prognozë tuajën ju lutem, për turizmin e muajve të fundit të këtij viti. Do të vijojë ai të jetë po aq intensiv sa turizmi i muajve të parë janar-mars 2024? Po turizmi në vitin 2025, si do të jete ai?
Besnik Vathi: Unë mendoj se edhe këto dy muaj do të vijojë numri në rritje i turistëve të huaj.
Po ashtu, edhe vitin tjetër do të ketë një rritje me 10-15 përqind të numrit total. Kjo, pasi, sikurse e shohim, oferta është, fluturimet janë ok, tendenca e tyre është në rritje të numrit të destinacione të reja dhe preferencave në rritje të këtyre destinacioneve.
Mendoj se me hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, do të ketë fluks tjetër të shtuar dhe sezon më të gjatë turistik në atë zonë, duke bërë që të ketë influencën e vet në totalin e vizitorëve apo turistëve të huaj në Shqipëri.
Shqipëria turistike 2030 (Foto Ministria e Turizmit dhe Mjedisit)
CMG: Ju faleminderit!