Foto nga CGTN
Efektiviteti i rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara duhet të rikthehet, tha të mërkurën përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB në një seancë informimi të Këshillit të Sigurimit mbi gjendjen në Lindjen e Mesme, duke përfshirë çështjen palestineze.
Këshilli i Sigurimit ka miratuar një numër rezolutash lidhur me gjendjen në Gazë, duke bërë thirrje të hapur për armëpushim. "Por asnjë prej tyre nuk është zbatuar efektivisht," vuri në dukje Fu Cong në mbledhjen urgjente për gjendjen humanitare në Rripin e Gazës. "Kjo i ka dhënë një goditje serioze besueshmërisë së të gjithë sistemit të OKB-së," shtoi Fu, duke theksuar se rezolutat e Këshillit të Sigurimit janë detyruese për të gjitha shtetet dhe duhet të zbatohen.
Ambasadori tha se Kina mbështet shfrytëzimin nga Këshilli i Sigurimit të të gjitha mundësive për të siguruar zbatimin e rezolutave të tij, duke shtuar se çdo vend anëtar ka përgjegjësinë për të mbrojtur efektshmërinë e këtyre rezolutave.
"Në këtë drejtim, ne shpresojmë veçanërisht që Shtetet e Bashkuara do t'i përgjigjen thirrjes së fortë të bashkësisë ndërkombëtare dhe do të mbështesin veprimet e mëtejshme të Këshillit të Sigurimit për të arritur një armëpushim të menjëhershëm," tha ai, duke shtuar se, sipas raporteve, që nga tetori i kaluar ShBA-ja i kanë dhënë Izraelit më shumë se 17 miliardë dollarë ndihmë ushtarake.
"Në rrethanat e tanishme, a ndihmon një furnizim i tillë masiv me armë për të realizuar objektivat e rezolutave të Këshillit të Sigurimit? Kjo është një pyetje që ka nevojë për shqyrtim serioz," tha ai.
I dërguari i Kinës bëri thirrje gjithashtu për ruajtjen dhe rikthimin e autoritetit të ligjit humanitar ndërkombëtar. (Artan)