Maratona e Tiranës, mbi 4500 garues nga vendi dhe 50 shtete
2024-10-18 13:04:16

Foto nga ATSH

Më shumë se 4500 garues nga Shqipëria dhe nga mbi 50 vende të botës janë regjistruar për të marrë pjesë në edicionin e 8-të të Maratonës së Tiranës, që zhvillohet më 20 tetor.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, cituar nga “ATSH”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi si aktivitetin më të madh sportiv të vitit.

“Më shumë se 4500 garues të regjistruar, nga të cilët mbi 900 të huaj nga më shumë se 50 vende të botës, priten të garojnë më 20 tetor, në 4 kategori”,- tha Veliaj.

Kryebashkiaku publikoi dhe itinerarin që do të përshkojë maratona, duke kaluar nëpër pikat më tërheqëse të Tiranës.

Maratona do të zhvillohet në katër kategori kryesore: “Marathon”, “Half Marathon”, “Tirana 10K” dhe “We Too”. Për secilën prej tyre janë parashikuar çmime të ndryshme.