Në një qendër të shitjes së apartamenteve të qytetit Hangzhou të provincës Zhejiang shumë klientë vijnë për konsultim dhe për blerje shtëpie.
Një menaxher shitjesh në një agjenci pasurish të patundshme në Hangzhou tha:"Pas publikimit të politikave të reja, reagimi ka qenë relativisht i fortë, teksa numri i klientëve është trefishuar. Kanë ardhur edhe shumë klientë nga qytetet përreth në nivel prefekture, të cilët bënë porosi shumë shpejt."
Foto nga VCG
Hangzhou njoftoi më 9 tetor se do të përmirësojë dhe rregullojë më tej politikat dhe masat që lidhen me pasuritë e patundshme, duke përfshirë lehtësimin e kufizimit të kushteve për blerjen e shtëpive, rritjen e përqindjes së kredive të fondit të sigurimit të strehimit, heqjen e kufirit të çmimeve për transferimin e ri të tokës etj.
Shangguan Jian, drejtori i degës së Hangzhou-t të Institutit të Studimeve "Beike", shprehet: "Në të kaluarën, vlera maksimale e kredive të fondit të sigurimit të strehimit për familje ishte 1 milion juanë, ndërsa tani kjo shifër është rritur deri në 1.3 milionë juanë. Kohët e fundit, numri ditor i kontratave të reja të nënshkruara mbi shitblerjen e shtëpive të vjetra u shtua afërsisht me 75 % në krahasim me shtatorin."
Që nga fundi i shtatorit, qeveria kineze ka publikuar një sërë masash të fuqishme për të nxitur rritjen ekonomike, të cilat mbulojnë sektorin financiar, bankar, të pasurive të patundshme, të tregut të kapitaleve etj. Në më pak se një muaj, efektet e politikave janë shfaqur fillimisht. Tregu i pasurive të patundshme është rimëkëmbur, besimi i tregut të aksioneve është rikthyer dhe tregu i konsumit vazhdon të lulëzojë, çka bën që bazat makroekonomike të kenë një hov pozitiv.
Në një dyqan shitjesh makinash në qytetin Zhuhai të provincës Guangdong ka shumë klientë. Pushteti vendor ka shpallur një politikë të ndihmës së trefishtë, përkatësisht të subvencioneve qeveritare, të uljes së çmimit nga ndërmarrjet dhe të interesave të favorshme të kredive bankare për blerjen e makinave, të cilat kanë nxitur rritjen e vëllimit të makinave të shitura.
Foto nga VCG
Një klient theksoi:"Subvencioni qeveritar është shumë i madh, dhe së bashku me subvencionin e dyqanit të shitjes, mund të gëzojmë një ulje çmimesh maksimale prej 28 000 juanësh. Për shkak të uljes së madhe, kemi vullnet për të blerë."
Ekonomia private zë një vend të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë kineze. Më 10 tetor u publikua për sugjerime publike "Projektligji për nxitjen e ekonomisë private". Ky do të jetë ligji i parë bazë në Kinë për zhvillimin e ekonomisë private. Ai synon të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm, të shëndetshëm e cilësor të ekonomisë private dhe të krijojë një mjedis më të mirë për zhvillimin e përbashkët të ekonomive të formave të ndryshme të pronësisë, duke përfshirë ekonominë private. Një menaxher tregu i një sipërmarrjeje private beson se ky projektligj do të luajë një rol pozitiv në tërheqjen e investimeve për sipërmarrjet private të teknologjisë së lartë.
Xie Lele, menaxher i tregut i kompanisë "eVTOL", thekson:"Nëse gjendet skenari i aplikimit, investimi do të jetë shumë i mjaftueshëm. Tani e ashtuquajtura 'ekonomi e lartësisë të vogël' tërheq vëmendje të madhe. Disa drejtues të qeverisë kanë thënë që, për sa kohë ka siguri, mund ta provojmë më parë. Kështu, investimet e 'eVTOL' do të vazhdojnë."
Paketa e politikave stimuluese të publikuara së fundmi fokusohet jo vetëm në zgjidhjen e problemeve të shfaqura në funksionimin aktual të ekonomisë, por edhe në zgjidhjen e çështjeve madhore që lidhen me zhvillimin ekonomik afatmesëm e afatgjatë. "Projektligji për nxitjen e ekonomisë private" është në fazën e mbledhjes së sugjerimeve nga publiku, Banka Popullore e Kinës ka ulur normat e interesit për të çliruar likuiditetin, si edhe normat e interesit të kredisë për pasuritë e patundshme, dhe Ministria e Financave ka shpallur një sërë masash për të zgjidhur rreziqet e borxhit të pushtetit vendor. Këto mjete politikash kanë rritur besimin e tregut dhe kanë promovuar zhvillimin me cilësi të lartë të ekonomisë kineze.
Hubertus Vaeth, drejtor menaxhues i shoqatës financiare "Frankfurt Main Finance", tha:"Unë mendoj se është ndërthurja e duhur, në kohën e duhur. Paketa, në fakt, mes bankës qendrore dhe qeverisë, ka qenë e paprovuar më parë. (Ajo) përfshin shumë instrumente që besoj se do të jenë shumë efektive. Pra, nga reagimet e para të tregut të aksioneve, mund të thuash qartë se ka qenë një sukses i madh. Këto lëvizje tani i japin qartë një zhvendosje të madhe likuiditetit në treg, kështu që kjo është një nxitje e madhe." (Xu Guang)