Instituti i Vjenës: Ekonomia shqiptare rritje me 4% gjatë këtij viti
2024-10-18 16:51:56

Grafik (Foto Atsh)

Grafik (Foto Atsh)

Instituti i Vjenës (WIIW) parashikon që rritja ekonomike në Shqipëri të jetë në nivelin 4% gjatë këtij viti, ndërsa për 2025-n parashikimet janë që të ketë një rritje prej 3.8%, shkruan “ATSH”.

Në raportin e vjeshtës të institutit thuhet se megjithatë kërkohet vigjilencë, pasi kërkesa për kredi për pasuri të paluajtshme po rritet me shpejtësi.

“Rritja ekonomike parashikohet të arrijë në 4% në vitin 2024. Inflacioni mbetet i ulët dhe i qëndrueshëm. Megjithatë, kërkohet vigjilencë, pasi kërkesa për kredi për pasuri të paluajtshme po rritet me shpejtësi”, thuhet në raport.

Sipas Institutit të Vjenës, mbiçmimi i monedhës ka dëmtuar eksportin e mallrave.

Ndërkohë, në raport theksohet se rritja e turizmit po vazhdon, por kjo nuk do të pengojë zgjerimin e mëtejshëm të deficitit të llogarisë korente.

Njëkohësisht në raport theksohet se flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte do të mbeten të gjalla, ku sektori i energjisë dhe prodhimit do të përfitojnë më shumë.