PROKURORI (Foto nga instagrami)
Javën e kaluar në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë u shfaq premiera e episodit të parë të seralit të shqiptar “Prokurori”, me regji nga Fatmir Doga dhe producentët Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj. Në këtë serial trajtohet lufta e një prokurori të ndershëm me krimin e organizuar dhe korrupsionin politik. Mes kastit të aktorëve dallon dhe aktori hollivudian Danny Glover. Seriali është një nga realizimet e fundit të kinemasë shqiptare, i cili u shfaq për herë të parë në Tiranë më 10 tetor për të vijuar në kinematë e Kosovës dhe në diasporë.
Në hapje të premierës regjisori Fatmir Doga u shpreh:
“Nuk besoj që ka “Oskar” më të bukur në botë sesa të shohësh popullin tënd që lënë punën dhe jetën e tyre personale dhe vijnë këtu që të ndajnë me vëllezërit, me motrat e tyre një punë që me modesti është bërë me shumë përkushtim e dashuri. Emocionet janë prezente që nga dita e parë që shkruan skenarin, kur e filmon, duke menduar se si do ta presi publiku filmin. Nuk është e lehtë sepse një punë e mirë është e vështirë, nuk mund ta bëj gjithkush. Më e lehta është të punosh me producentë të rinj, kanë koncepte shumë moderne. Çdo pjesë e këtij seriali do të ketë një “star”, do të ketë surpriza nëpër karaktere, etj”.
Regjisori Doga, falenderoi veçanërisht producentin Ylli Ujka, për realizimin e kësaj ëndrre. Ndërsa producenti Ujka u shpreh se do të hapë audicionet për talentet shqiptare të cilëve do t’u jepet mundësia të shkëlqejnë krah yjeve të Hollivudit.
“E veçanta është që do të bëjmë audicione. Çdo talent shqiptar do të ketë mundësinë të provojë dhe të shkëlqejë krahas yjeve të hollivudit në të gjitha projektet tona, në mënyrë që flamuri shqiptar të shkojë lart e më lart”, theksoi ai.
skenaristi, regjisori Fatmir Doga dhe producenti Ylli Ujka në premieren e serialit PROKURORI (Foto për CMG)
Në intervistë për Radio Ejani, kanë dhënë opinionet e tyre dy emra të njohura të artit shqiptar, aktorët që kanë një peshë të rëndësishme në filmin “Prokurori” si Klodian Hoxha dhe Adriana Tolka.
CMG: Si nisi bashkëpunimi për këtë film?
Klodian Hoxha: Bashkëpunimi me regjisorin lindi krejt natyrshëm. Pata një komunikim me të përpara se të zgjidhte personazhet e filmit. Më tha se i dukesha interesant si portret dhe më kërkoi të takoheshim e të flisnim për më tej. Lamë një takim dhe diskutuam rreth këtij projekti.
CMG: Na trego për rolin tënd, a ishe ti që e zgjodhe apo regjisori ?
Klodian Hoxha: Sa i përket rolit, unë bëra 2-3 audicione për të parë se ku mund të më vendoste mua, e më pas më dha rolin e prokurorit. Ndjehem shumë i vlerësuar sepse është një rol shumë i mire. Duke qenë se gjithmonë kam luajtur role krimineli, këtë herë më doli një rol prokurori, që për mua është një ndryshim figure dhe ndryshim nga ana profesionale. Shpresoj që t’ia kem arritur.
CMG: Si u ndjeve krah kolegëve në këtë film, ku përveç artistëve shqiptarë luan edhe aktori hollivudian Danny Glover?
Klodian Hoxha: Normalisht është kënaqësi e madhe që të bashkëpunosh me figura të mëdha siç është Denny Glover. Për ne është një vlerë e shtuar në projekt, por nuk duhet të anashkalojmë edhe kastin shqiptar, të cilët kanë qenë të mrekullueshëm. I vlerësoj shumë për punën që kanë bërë dhe kontributin që kanë dhënë në këtë serial. Shpresoj që seriali “Prokurori” të ketë jetëgjatësi dhe të vlerësohemi ashtu si e meritojmë dhe të shkëlqejmë edhe në skenat ndërkombëtare, ky është qëllimi.
Aktori hollivudian Danny Glover dhe aktori shqiptar Klodian Hoxha (Foto nga instagrami)
CMG: Cili është opinioni yt për këtë film nga këndvështrimi artistik?
Klodian Hoxha: Të them të drejtën jam shumë i ngarkuar emocionalisht sepse çdo artist nuk mund ta shijojë punën e vet sepse do merret me detajet e vogla. Por mund të them se e përgjithshmja është një punë e mirë. Normalisht që ky është një serial dhe në serinë e parë janë shumë tema që hapen, ndërkohë që duhen parë 4-5 episodet e para, që të ndërtosh një ide të përgjithshme. Por në përgjithësi mendoj se është shumë mirë, shpresoj që ky film të ecë e të ketë një vazhdimësi sa më të gjatë.
CMG: Projektet e tua të ardhshme cilat janë?
Klodian Hoxha: Projektet e mia aktualisht do jenë përsëri në kinematografi sepse për momentin po bëj pak pushim nga teatri, pasi edhe aty kam qenë shumë i angazhuar për kohë të gjatë, por tani jam më shumë aktiv dhe i fokusuar në film. Sapo kam mbyllur xhirimet me një film në Kosovë dhe pres të filloj sërish xhirimet për një tjetër film me një produksion amerikano-shqiptar. Shpresoj që të jetë interesante për publikun, por edhe për vazhdimësinë e karrierës time. Kam edhe shumë surpriza të bukura që do i mbajmë për vitin 2025, i cili do të jetë plot surpriza si për mua ashtu edhe për gjithë publikun, por do ja lemë kohës çdo gjë.
Edhe aktorja protagoniste në filmin “Prokurori”, Adriana Tolka, tregon për Radio Ejani opinionin rreth këtij seriali, por flet edhe për personazhin e saj.
CMG: Si nisi bashkëpunimi për serialin “Prokurori”?
Adriana Tolka: Bashkëpunimi me regjisorin Fatmir Doga, por edhe me gjithë stafin mbështetës për mua kanë qenë ndër më të mirët në karrierën time artistike. Jam ndjerë shumë mirë, jo vetëm si profesioniste, por edhe nga ana njerëzore. Duke përjashtuar kushtet e vështira të motit bëri që xhirimet t’i bënim në qytet dhe jo tek vendi i xhirimit. Unë jam një aktore shumë e disiplinuar, por edhe drejtimi i regjisorit Fatmir Doga, ka qenë shumë profesional dhe respketues ndaj nevojave tona si njerëz e pastaj edhe si profesionistë. Edhe sot kemi marrëdhënie shumë të mirë, i jam mirënjohëse atij sepse janë 24 vite karrierë dhe tashmë në kinema, më besohet një rol me një peshë të tillë. Mendoj se është një nga rolet e forta që çdo aktore do t’i shpaloste mjeshtërinë e një profesionisteje në shumë plane.
CMG: Na trego për publikun rreth rolit tënd. A ishe t’i që e zgjodhe apo regjisor Fatmiri e përcaktoi rolin tënd?
Adriana Tolka: Regjisorin Fatmir Doga nuk e kisha takuar më parë, vetëm kur mora pjesë në audicionin e filmit "Prokurori". Ai më mori në tel dhe më tha se isha personi i duhur, më e përshtatshme për personazhin e Verës në filmin "Prokurori". Roli im është roli i një nëne që ka punuar si punëtore seksi dhe tani për shkak të kushteve shumë të vështira të jetesës, detyrohet të çojë bijën e saj, ende të pa rritur mirë të bëj të njëjtën punë.
Aktorja Adriana Tolka (Foto personale)
CMG: Si u ndjeve krah kolegëve të tu në film, ku përveç artistëve shqiptarë luan edhe aktori hollivudian Danny Glover?
Adriana Tolka: Unë nuk kam ndonjë skenë të drejtpërdrejtë me aktorin Danny Glover, por është kënaqësi që të marr pjesë në një film ku luan edhe ai. Kam patur një skenë me aktoren e re Desada Xhihani, e cila nuk është profesioniste, pasi ajo studion për Mjekësi Veterinere, por mendoj se sjellja e saj në sheshin e xhirimit ka qenë si një profesioniste e vërtetë. Ajo është shumë e talentuar, por edhe shumë e urtë në çdo drejtim, qoftë për mençurinë dhe nuhatjen e saj si aktore, qoftë edhe për disiplinën e saj, është një vajzë e rradhë. Mendoj që pjesëmarrja në filmin "Prokurori" të jetë një fillim i mbarë në karrierën e saj artistike kinematografike.
CMG: Cili është opinioni yt për këtë film nga këndvështrimi artistik?
Adriana Tolka: Filmi më ka dhënë përshtypje të jashtëzakonshme, më pëlqen dinamika e filmit, skenat e xhiruara ku shfaqen peisazhet e ashpra të Shqipërisë, mendoj se kanë qenë të rrezikshme jo vetëm për aktorët, por për të gjithë stafin teknik. Gjithashtu dinamika e lëvizjes së kameras, intensiteti, ashpërsia që përcjelin, janë vërtetë karakteristika të realitetit të shqiptarëve, por edhe mendësisë së figurshme të popullit shqiptar. Prandaj mendoj që do të pritet mirë nga të gjithë shqiptarët, sepse ky film jo vetëm që i përfaqëson, por edhe të gjitha problematikat që ai shtjellon. Personazhi i Verës është një nënë tipike shqiptare, duke lënë mënjanë profesionin që ajo ka zgjedhur. Karakteri i saj, mënyra si i flet vajzës janë tipike e shqiptareve. Mendoj se nënat shqiptare do ta gjejnë veten në dhembshurinë e saj, sidomos ato që janë gjendur në kushte të tilla apo të ngjashme, si ishte personazhi i Verës dhe bija e saj në këtë film. Kam një falenderim të veçantë për drejtorin e fotografisë Kushtrim Ternava, i cili ka qenë edhe drejtor fotografie por edhe operator. Ai ka mbajtur kameran gjithë kohës, që ka qenë një stërmundim fizik gjatë orëve të gjata të ditëve të xhirimeve. Më pëlqen edhe kontrasti i madh që ka përdorur regjisori Fatmir Doga. Në një anë jepet një skenë rrëmbimi i prokurorit dhe familjes së tij, terrorizimi i fëmijëve të tij, e nga tjetër jepet Shqipëria dhe natyra e saj e bukur, si dhe familja tjetër që merret me biznes të pisët. Të gjitha rolet e kolegëve janë realizuar mjaft mirë, por më ka mbetur veçanërisht mendja tek roli i Eduardit, realizuar nga aktori Gert Ferra ku është spikatur më së miri ky personazh sipas këndvështrimin tim.
CMG: A do të jesh në seritë e ardhshme!
Adriana Tolka: Po, do vazhdoj të jem në seritë e ardhshme. Sigurisht që në një serial hyjnë e dalin shumë personazhe, por personazhi i Verës, që unë luaj ka shtruar një bazë shumë të mirë që tani për të patur jetëgjatësi. Kjo varet edhe nga realizimi im si aktore, nëse roli do të vazhdojë të pëlqehet në zhvillimin e tij nga publiku sepse nëse produkti që unë do të jap do të jetë i pëlqyeshëm, personazhi do të ketë jetëgjatësi. Shpresojmë më të mirën.
CMG: Cilat janë projektet e tua në vazhdim?
Adriana Tolka: Aktualisht projektet e mia janë më së shumti në teatër. Unë jam aktore e brendshme në Teatrin Kombëtar Eksperimental. Sapo kam qenë në dy festivale në Prishtinë dhe në Gostivar me dy shfaqje të Teatrit Kombëtar Eksperimental. Jam duke bërë provat për një premierë të re, “Shadow: Euridice Says” ku do jem në performancë bashkë me tre aktore, me Albana Koçaj, si dhe me aktoren e re shumë premtuese Flobensa Bezati, nën drejtimin e austriakes Sabine Mitterecker, e cila vjen për herë të dytë në Shqipëri. Para pesë viteve kemi punuar një shfaqje në shqip, por kemi dhënë edhe dy performanca në Vjenë. Shfaqja do të jetë në anglisht, por e titruar për publikun shqiptar. Është një shfaqje shumë moderne e autores austriake Elfriede Jelinek, e cila ka fituar çmimin Nobel në vitin 2003. Është një punë shumë e vështirë, por regjisorja Mitterecker e njeh shumë atë personalisht, njeh psikologjinë e saj dhe si një autore e cila i ka fituar të gjitha çmimet në jetë është shumë e thellë për t’u eksploruar, por mjetet tona artistike do ta sjellin shumë lehtë dhe në një mënyrë mjaft moderne dhe spektakolare tek publiku. Shfaqja do ketë premierën e saj në fund të muajit tetor. Njëkohësisht jemi në pritje të një filmi tjetër me regjisorin Fatmir Doga që do ta ketë premierën në fillim të vitit të ardhshëm. Filmi është xhiruar dhe është në fazat e tij të fundit, por të tjerat po i lë surprizë.
Me skenaristin e regjisorin Fatmir Doga dhe stafin e tij në premieren e serialit PROKURORI (Foto për CMG)
-Regjisori Fatmir Doga ka kryer studimet e larta në Universitetin e Arteve në Tiranë në vitin 1991. Filmin e tij të parë e ka realizuar në Kanada, ku ka patur në kastin e tij edhe artistin shqiptar Timo Flloko, e më pas u shpërngul në SHBA
Ai u kthye në Tiranë pas 27 vjetësh, pasi jeton në Los Angeles ku ka realizuar shumë filma si “Being American”, “A mater of justice”, “The architect”, etj. Rreth tri vite më parë pas një mungese të gjatë, ai punoi për herë të parë për një film shqiptar me titullin “Alba”. Me eksperiencën hollivudiane dhe me një kast të zgjedhur aktorësh ai këtë herë erdhi me serialin e ri “Prokurori”, me pjesëmarrjen e aktorit hollivudian Danny Glover. Në këtë film ka aksion, dashuri, dramë, të gjitha elementet që i duhen një filmi, për të qenë pjesë e Netflix, por edhe për të patur sukses. Pas shfaqjes së episodit të parë të filmit “Prokurori” në të gjitha kinematë e Tiranës dhe në Kosovë, filmi do vijojë të shfaqet edhe në kinematë në diasporë. Në episodin e ardhshëm do të dalin në pah të gjithë personazhet, por sipas regjisorit Fatmir Doga, në çdo episod do të ketë yje hollivudianë. Sipas aktorëve, regjisori Fatmir Doga konsiderohet si një ndër më të mirët e momentit, duke u krijuar komoditet stafit, por edhe duke qëndruar sa më pranë audiencës me përcjelljen e mesazhit. Pasioni që Fatmiri ka për punën, është një fat për çdo aktor apo aktore që ka punuar dhe punon me të.
Intervistoi: Sava Lena