
Foto nga VCG
Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët nuk mund të përsëritet për të gjithë BE-në, deklaroi kryemininstri grek Kyriakos Mitsotakis, duke shprehur skepticizëm ndaj thirrjeve për përhapjen e modelit Itali-Shqipëri në të gjithë bllokun, shkruan “RTSH”.
Mitsotakis u shpreh kundër propozimeve për të transferuar politikën e unionit për azilin te vendet jashtë bllokut, gjatë samitit të liderëve të BE-së në Bruksel, ku çështja e emigracionit dominoi diskutimet.
“Kjo është një marrëveshje dypalëshe. Nuk e di nëse mund të përsëritet në nivel europian. Gjithashtu duhet parë nëse funksionon vërtet. Këta persona procedohen sipas legjislacionit italian të azilit dhe çfarëdo që të ndodhë me ta, në një mënyrë apo tjetër do të kthehen në Itali. Nëse do ta bënim këtë në nivel evropian, ku do të shkonin?”,- deklaroi kryeministri grek.
Ai i bëri thirrje BE-së që të rrisë emigracionin legal paralelisht me përpjekjet për të frenuar hyrjet e parregullta, pasi ka një nevojë kritike për punëtorë në ekonominë e Europës.
Mitsotakis tha se Greqia ka shpëtuar mijëra njerëz në det, por theksoi se vendi do ta vështirësojë hyrjen e njerëzve.
Ai i bëri thirrje Brukselit që të dyfishojë përpjekjet për të rritur numrin e emigrantëve që deportohen, i cili aktualisht është 20 për qind.
Pak ditë më parë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një letër dërguar liderëve të BE-së, përpara mbledhjes së Këshillit të Europian, kërkoi krijimin e qendrave të ngjashme të emigrantëve, si ato të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë.
