Foto nga Panorama
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me shefin e Sektorit Ekonomik Rajonal për Ballkanin Perëndimor, pranë Ambasadës së Republikës së Francës, Pierre Grandjouan, rezident në Beograd.
Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet ekonomike në Shqipëri, duke theksuar se rritja ekonomike është në trajektore pozitive zhvillimi dhe balancat kryesore ekonomike pritet të forcohen në vitet e ardhshme, shkruan “Panorama”.
Lidhur me ecurinë e inflacionit, guvernatori Sejko tha se ai ka ardhur në rënie të shpejtë, duke shënuar dhe një rikuperim të plotë nga goditja prej rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
“Banka e Shqipërisë ka qenë e kujdesshme me qëndrimin e politikës monetare, duke analizuar të dhënat mbi inflacionin dhe ka reaguar me qëndrimin e saj në mënyrë që rritja ekonomike të ruhej e pacenuar. Kjo qasje ka rezultuar mjaft efektive. Politika monetare ka qenë sa më fleksibël, duke synuar mos të dëmtojë trendet pozitive të zhvillimit të vendit, si dhe duke u kujdesur të jetë e harmonizuar me zhvillimet financiare dhe kahun e politikës fiskale. Falë këtij reagimi, inflacioni dhe pritjet për të qëndrojnë tashmë më pranë objektivit tonë, ndërkohë që parashikimet për të ardhmen janë pozitive. Aktualisht, inflacioni në Shqipëri është më i ulëti në rajon dhe në Europë”,- deklaroi Sejko.
Lidhur me sistemin financiar, ai u shpreh se karakterizohet nga nivele të kënaqshme kapitalizimi dhe likuiditeti. Guvernatori u ndal gjithashtu në panoramën e sektorit bankar, ku veçoi dy elemente kyçe, rritjen e kreditimit dhe përmirësimin e treguesit të kredive me probleme.
Nga ana e tij, Grandjouan vlerësoi kontributin e vazhdueshëm që Banka e Shqipërisë jep në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit.
Ai theksoi se politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë kanë ndikuar pozitivisht, duke ruajtur inflacionin më të ulët dhe rritjen ekonomike më të lartë në rajon. Gjithashtu, ai shtoi se regjimi i lirë i kursit të këmbimit mbetet mjaft i përshtatshëm kur kërkesa dhe oferta përcaktohet nga vetë tregu.
Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, nëpërmjet projekteve potenciale në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si ai financiar, infrastrukturor dhe rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Gjithashtu ata ranë dakord që Banka e Shqipërisë dhe Banka e Francës do të vijojnë bashkëpunimin në disa fusha dhe se Banka e Francës do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për Bankën e Shqipërisë, për përforcimin e kapaciteteve institucionale dhe adoptimin e standardeve ndërkombëtare të bankingut qendror, derisa Shqipëria të bëhet pjesë e familjes europiane.