Pekini raporton reduktim të përdorimit të ujit në raport me PBB-në që nga viti 2013
2024-10-18 17:05:41

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Pekini ka pasur një reduktim të ndjeshëm të përdorimit të ujit në raport me PBB-në e qytetit gjatë dekadës së fundit, bëri të ditur të enjten Ministria e Burimeve Ujore, citon “Xinhua”.

Përdorimi i ujit për 10.000 juanë (1404 dollarë amerikanë) të PBB-së së gjeneruar në Pekin ra me 32.6 për qind që nga viti 2013 në 9.3 metra kub në vitin 2023, deklaroi në një konferencë shtypi zëvendësministri i Burimeve Ujore, Wang Bao'en.

Konsumi i ujit të ricikluar arriti në 1.28 miliardë metra kub vitin e kaluar, duke përbërë 31.4 për qind të përdorimit të përgjithshëm të ujit të qytetit, tha Wang. Kjo arritje vjen prej përpjekjeve të vazhdueshme të kryeqytetit kinez për të rikthyer lumenjtë dhe liqenet e tij nën drejtimin e ministrisë, e cila ka nxjerrë një udhëzim dhe një plan veprimi për ringjalljen e ekomjedisit të lumenjve dhe liqeneve në mbarë vendin, theksoi zv.ministri.

Pekini ka kanalizuar ujë për të rimbushur lumenjtë e tij kryesorë që nga viti 2018, me 10.42 miliardë metra kub ujë të shpërndarë në lumenjtë dhe liqenet e qytetit, tregojnë të dhënat zyrtare.

Ndërkohë, me përpjekje të vazhdueshme për të frenuar mbishfrytëzimin e ujërave nëntokësore, burimet ujore nëntokësore të Pekinit janë rikuperuar që nga viti 2015.