Zv.kryeministri kinez Ding Xuexiang takon zyrtarë të lartë nga Brazili dhe Britania
2024-10-18 20:38:47

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Zëvendëskryeministri kinez Ding Xuexiang zhvilloi të premten në Pekin takime të veçanta me shefin e sfafit të Presidencës së Brazilit Rui Costa, si edhe me sekretarin e Shtetit për Punët e Jashtme, Komonuelthin dhe Zhvillimin të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy.

Gjatë takimit me Rui Costa-n, Ding, gjithashtu anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, tha se Kina e Brazili janë vende përfaqësuese të rëndësishme të Jugut Global dhe janë miq e partnerë të mirë që ecin përpara krah për krah.

Sipas tij, Kina është e gatshme të punojë me Brazilin për të vënë në jetë konsensusin e rëndësishëm të arritur nga krerët e shtetit të të dy vendeve dhe për ta marrë 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike si një mundësi për të shtuar vazhdimisht thellësinë, gjerësinë dhe lartësinë e bashkëpunimit me dobi të ndërsjellë, duke i ngritur lidhjet dypalëshe në një nivel të ri.

Rui Costa tha se Brazili i kushton rëndësi të madhe Kinës dhe e konsideron si një partnere të besueshme bashkëpunimi afatgjatë. Ai shtoi se pala braziliane shpreson të punojë me palën kineze për të forcuar më tej natyrën strategjike dhe gjithëpërfshirëse të marrëdhënieve dypalëshe.

Ndërsa në takimin me sekretarin e Shtetit për Punët e Jashtme, Komonuelthin dhe Zhvillimin të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, Ding vuri në dukje se Kina dhe Britania janë të dyja vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe ekonomi të mëdha të botës me interesa thellësisht të ndërthurura. Ai theksoi se liderët e të dy vendeve kanë arritur një konsensus të rëndësishëm për thellimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme dhe kanë treguar drejtimin për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Kina është e gatshme të punojë me Britaninë për të zhvilluar më tej marrëdhënie dypalëshe më të qëndrueshme e me dobi të ndërsjellë nga një perspektivë strategjike e afatgjatë dhe për të nxitur përmirësimin e bashkëpunimit pragmatik në fusha të ndryshme, duke sjellë  më shumë përfitime për të dy vendet e të dy popujt dhe duke i dhënë një shtysë më të madhe paqes dhe lulëzimit botëror, theksoi Ding.

Kurse Lammy tha nga ana e tij se qeveria e re e Britanisë është e gatshme të punojë me Kinën për të forcuar dialogun konstruktiv, për t'u angazhuar në komunikim të sinqertë, për të thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme, për të punuar për marrëdhënie të qëndrueshme dypalëshe me respekt të ndërsjellë dhe për t'iu përgjigjur së bashku sfidave globale.   (Fang Xiaoyu/Artan)