Opera e Pekinit zbret në Londër
2024-10-18 10:07:03

Kolona zanore perëndimore paraqet historinë e lashtë kineze në një dritë të re.

Një produksion novator, që bashkon operën tradicionale kineze me muzikën klasike perëndimore, vihet më fund në skenë në Londër. Shfaqje është frymëzuar nga jeta e Cai Lun, njeriu që njihet për shpikjen e letrës.

Foto nga London Symphony Orchestra

Poster/ London Symphony Orchestra

Performanca, e titulluar “Ein Heldenleben: Cai Lun”, e cila përkthehet “Jeta e një heroi: Cai Lun”, është konceptuar, shkruar dhe drejtuar nga një figurë e rëndësishme e teatrit kinez, Chen Xinyi, e cila është e famshme për idenë e stilit të performancës të njohur si dramë me poezi simfonike.

Kolona zanore e shfaqjes është muzika e kompozitorit gjerman të shekullit të 19-të, Richard Strauss, në një stil të quajtur poemë simfonike - një lëvizje e vetme e vazhdueshme, e përbërë nga sekuenca që janë në stilin e kapitujve ose vargjeve, në vend që të ndahen në lëvizje të pavarura, si në një vepër simfonike.

Edhe pse kontributi më i madh i Cai Lun në qytetërimin botëror është shpikja e letrës, ishte jeta e tij si eunuk në oborrin perandorak në kohën e Perandorit He dhe intrigat e oborrit në të cilat u gjend i përfshirë, që tërhoqën imagjinatën e krijueses së shfaqjes.

"Ai është një ikonë gjigante e Kinës, shpikja e të cilit ndryshoi qytetërimin njerëzor dhe përparimin kulturor, por ai gjithashtu përjetoi fatkeqësi në jetë që ngjallën simpatinë time. Ai është një personazh super-dramatik",- shpjegoi ajo.

Pjesa është frymëzuar nga jeta e tij, edhe pse detaje specifike të jetës së tij ishin të vështira për t'u gjetur, megjithatë nuk është një portret apo ngjarje historike, por është art teatral.

Vendosja në skenë e historisë së dikujt në Kinë në të kaluarën e lashtë me muzikën e shkruar qindra vjet dhe mijëra kilometra larg mund të duket e pamundur, por Chen tha se sapo e dëgjoi dhe kuptoi se çfarë përshkruante muzika e Strauss e dinte që ishin të përputhshme.

Strauss e ndan këtë pjesë të veçantë në gjashtë segmente, duke ilustruar udhëtimin nëpër jetën e heroit të veprës dhe triumfet e fatkeqësitë që ai has gjatë rrugës, të cilat Chen tha se përputhen në mënyrë të përkryer me jetën e Cai Lun.

“Një ditë, në vitin 2019, kisha bërë prova të operës së Giacomo Puccini, “Turandot”, në Teatrin Kombëtar të Kinës dhe në fund të ditës isha e rraskapitur, kur menaxheri i orkestrës erdhi dhe më tha se atë mbrëmje kishte një shfaqje që titullohej “Jeta e heroit” dhe se duhet të shkoja ta dëgjoja patjetër”, - shpjegoi ajo.

"Unë në fillim thashë jo, por ai më shtyu deri atje. Kur hyra në sallë m'u duk sikur më zuri gjumi, por sapo filloi muzika pata  vizione të Cai Lun. Lexova programin dhe pashë se si titujt e sekuencave të ndryshme në pjesë ndiqnin udhëtimin e këtij heroi dhe munda të shihja se si përshtateshin së bashku".

Foto nga London Symphony Orchestra

Kombinimi i teatrit kinez dhe muzikës simfonike perëndimore është diçka që Chen e ka eksploruar për 20 vitet e fundit, me tetë drama me poezi simfonike që janë shfaqur më parë, por kjo është e para që vihet në skenë në Mbretërinë e Bashkuar, diçka që ajo dëshironte ta bënte prej kohësh.

“Ky vend është shtëpia e Uilliam Shekspirit, dikujt që unë e admiroj shumë dhe ka lidhje mes tij dhe dramaturgut të madh Tiang Xianzu, i cili u shfaq në Kinë në të njëjtën kohë”, - shpjegoi ajo. “Më pas, rreth 200 vjet më parë, Europa pa ngritjen e muzikës simfonike në të njëjtën kohë kur Kina dëshmoi ngritjen e Operës së Pekinit, e cila është një formë e veçantë arti që përdor personazhet për të shprehur emocionet në të njëjtën mënyrë si muzika simfonike. Këto janë dy stile të shkëlqyera të performancës që më pëlqen t'i bashkoj dhe Londra është një qytet ku dëshiroja veçanërisht ta bëja këtë", - tha ajo.

Kompania e teatrit mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar vetëm më pak se një javë para shfaqjes, që nënkuptonte një kohë të shkurtër provash për interpretuesit dhe muzikantët për t'u njohur me njëri-tjetrin dhe për të ndërtuar një marrëdhënie artistike, por Chen tha se shpresonte se do të ishte një udhëtim zbulues për të dyja palët.

“Ne kemi bërë prova në Kinë me një regjistrim të Herbert von Karajan duke dirigjuar muzikën dhe vite më parë, kur fillimisht shpresonim të vinim përpara pandemisë, i dhamë një video të performancës sonë orkestrës, dirigjentit dhe menaxherit të orkestrës kështu që ata mund të shihnin se çfarë po bënim”, - përfundoi autorja.