Orban: Marrëveshja për emigrantët Itali-Shqipëri, një model shumë i mirë
2024-10-18 17:14:46

Orban (Foto Atsh)

Kryeministri hungarez, Victor Orban, dhe lideri i Partisë holandeze të Lirisë, Gert Wilders deklaruan se marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët është shumë e mirë, ndërkohë që përshëndetën Romën dhe Tiranën zyrtare për të.

“Marrëveshja për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë është e mirë. Urime Italisë!”,- deklaroi kryeministri hungarez Viktor Orban, teksa mbërriti në samitin e parë të Patriotëve (Patriots for Europe), grupimi i tretë më i madh politik në Parlamentin Europian, në selinë e përfaqësisë hungareze në Bruksel.

“Italia po dërgon njerëz në Shqipëri dhe për ne është një model i mirë, një shembull i mirë”,- tha nga ana e tij Wilders.

“Ne në Holandë po mendojmë të bëjmë një gjë të ngjashme në Ugandë. Ka një erë të re në Europë lidhur me emigrantët që po fryn gjithnjë e më e fortë dhe shpresoj se gjërat do të ndryshojnë”,- shtoi ai.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, tha se operacioni i transferimit të emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri po shkakton diskutime në opozitë.

“Kujtojmë se të dy qendrat do të administrohen nga autoritetet italiane. Pra, është një investim për të luftuar emigracionin e paligjshëm, trafikantët e qenieve njerëzore dhe për të dërguar në vendet e origjinës të gjithë ata që nuk do të kenë të drejtë të futen në Itali”,- theksoi Tajani.