Foto nga VCG
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka premtuar vazhdim të mbështetjes ushtarake për Izraelin, me gjithë luftën në Gaza që ka vrarë deri tani gati 42.200 palestinezë dhe ka zhvendosur më shumë se 2 milionë të tjerë, citon “RTSH” raportimet në mediet e huaja.
Duke folur në Parlament, Scholz fajësoi grupin Hamas për konfliktin dhe shtoi se Gjermania do të tregojë solidaritetin e saj me Izraelin duke vijuar dërgesat e armatimeve, sipas tij për t’u siguruar që të jetë në gjendje të mbrojë veten.
“Kemi dërguar armatime në të shkuarën prandaj po u dërgojmë dhe tani, e do të vazhdojmë të dërgojmë edhe në të ardhmen”,- u tha Scholz deputetëve.
Komentet e tij vijnë pas akuzave të mediave në vend se qeveria gjermane kishte rinisur eksportet e armëve drejt Izraelit prej javës që shkoi, pasi kishte marrë garanci nga Izraeli se armët gjermane nuk do të përdoren për gjenocid.
Partia e Gjelbër, pjesë e koalicionit të Scholz, besohet se ka bllokuar eksportet e armëve të luftës drejt Izraelit në të shkuarën prej shkeljes së ligjit ndërkombëtar të luftës.
Kritikët thonë se mbështetja pa kushte e politikave të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, po dëmton kredibilitetin e Gjermanisë në arenën ndërkombëtare duke e lënë të izoluar.
Izraeli është paditur për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare për veprimet në Gaza, ku përveç të vrarëve ka shkatërruar tërësisht infrastrukturën qytetare dhe banesat e të larguarve.