Foto nga China Daily
Të mërkurën u hap në qytetin Yantai të provincës Shandong të Kinës Lindore Takimi i 6-të i Drejtuesve të Pushtetit Vendor Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore (EQL). Anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe nënkryetar i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore Li Hongzhong mori pjesë në ceremoninë e hapjes dhe mbajti një fjalim.
Li Hongzhong tha se, që nga krijimi i mekanizmit të bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore 12 vjet më parë, të dyja palët kanë promovuar së bashku zhvillimin dhe pjekurinë e vazhdueshme të këtij mekanizmi, kanë arritur rezultate të frytshme dhe kanë krijuar një model të bashkëpunimit ndërrajonal. Bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore i jep më shumë energji edhe zhvillimit të marrëdhënieve Kinë-Evropë.
Li theksoi se shkëmbimet ndërmjet organeve të pushtetit vendor janë një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit të Kinës me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Të dy palët duhet të forcojnë përafrimin e strategjive të zhvillimit, të përmirësojnë mekanizmin e platformës së bashkëpunimit të pushtetit vendor, të fokusohen në fushat kryesore të bashkëpunimit praktik, të forcojnë shkëmbimet dhe mësimin e ndërsjellë në përvojën e qeverisjes, të nxisin thellimin e bashkëpunimin praktik dypalësh dhe të arrijnë më shumë rezultate, duke promovuar bashkëpunimin e qëndrueshëm e afatgjatë ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Në këtë veprimtari morën pjesë afro 300 të ftuar, duke përfshirë ish-politikanë, funksionarë të lartë, kryetarë bashkish, ambasadorë, studiues dhe përfaqësues të biznesit e të artistëve nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.(Xu Guang)