Censi në Malin e Zi: Rreth 5% e popullsisë janë shqiptarë
2024-10-17 10:48:08

Foto nga VCG

Drejtoria e Statistikave në Malin e Zi publikoi rezultatet e censit të popullsisë të zhvilluar në dhjetor 2023. Të dhënat tregojnë se 41.1 për qind e qytetarëve janë deklaruar malazezë, 32.9 për qind serbë,  9.45% boshnjakë, 4.97% shqiptarë dhe 2% rusë.

Numri i shqiptarëve në censin e vitit 2011 ishte 4.91%, duke pësuar një rritje të lehtë sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2023, shkruan “RTSH”.

Sipas Drejtorisë malazeze të Statistikave, rreth 43% e banorëve kanë deklaruar serbishten si gjuhë amtare, për 34.5% është gjuha malazeze, ndërsa shqipja është gjuhë amtare për 32 mijë e 725 persona ose 5.25%.

Sipas fesë, qytetarët e Malit të Zi ndahen në 71% ortodoksë, 20% myslimanë dhe 3.2% katolikë.

Në regjistrimin e dhjetorit, rreth 2.8% e popullsisë nuk iu përgjigjën censit.

Mali i Zi ka 623 mijë e 633 banorë.

Regjistrimi i popullsisë në Malin e Zi duhej të bëhej në vitin 2021, por asokohe u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe disa herë për shkak se opozita ishte mosbesuese ndaj procesit.