Von Der Leyen (Foto RTSH)
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një letër dërguar liderëve të BE-së, përpara mbledhjes së Këshillit të Europian më 17-18 tetor, ka kërkuar krijimin e qendrave për emigrantët, si ato të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë, shkruan “RTSH”.
“Duhet të eksplorojmë rrugët e mundshme për t’u ndjekur, për idenë e zhvillimit të qendrave të riatdhesimit jashtë BE-së, sidomos në funksion të një propozimi të ri legjislativ për riatdhesimet. Me nisjen e operacioneve të parashikuara nga protokolli Itali-Shqipëri, do të mund të nxjerrim edhe mësime praktike”,- shkruan Von der Leyen.
Ajo u kërkon krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së që të punojnë në mënyra inovative për të luftuar emigracionin e paligjshëm.
“Ne jemi angazhuar tashmë për të rishikuar, deri në vitin e ardhshëm, konceptin e vendeve të treta të caktuara si të sigurta. UNHCR-ja dhe IOM-i janë të gatshëm të punojnë me BE-në në një qasje që përfshin të gjithë procesin, duke ndihmuar ata që kërkojnë azil pa pasur nevojë të ndërmerrni udhëtime të rrezikshme nëpër Mesdhe. Përmirësimi i bashkëpunimit për ripranimin është një interes i BE-së që duhet të reflektohet mirë në marrëdhëniet tona me vendet partnere”,- bëri të ditur presidentja e KE-së.
Sipas saj, Iraku, Bangladeshi dhe Gambia janë të gjitha rastet kur angazhimi me partnerët, sipas nenit 25a të Kodit të Vizave, ka ndihmuar në stimulimin e veprimeve. Ajo theksoi se BE-ja duhet të jetë gati të përdorë ndikimin e saj jo vetëm në politikën e vizave, por edhe në fusha të tjera, si tregtia.
“Duhet të vazhdojmë të ndjekim një qasje globale për menaxhimin e emigracionit. Kjo duhet të kombinojë veprime të forta të brendshme dhe të jashtme, me mbrojtje më efektive të kufijve të jashtëm të BE-së dhe një luftë të vendosur kundër kontrabandës së emigrantëve, duke trajtuar shfrytëzimin e emigracionit si një kërcënim hibrid, duke rritur kthimet dhe duke zhvilluar partneritete globale të dobishme reciproke, të cilat ndihmojnë në adresimin e shkaqeve rrënjësore të migrimit, duke mbështetur objektivat e BE-së në lidhje me përafrimin e vizave dhe ri pranimit politikë. Rritja e mundësive për emigracion të ligjshëm do të ndihmonte partnerët të punojnë për të luftuar ato të paligjshme dhe do të kontribuonte në përmbushjen e nevojave të tregut të punës të Bashkimit. Kjo është një seri zgjidhjesh europiane për një sfidë europiane. Na pret një agjendë intensive legjislative dhe operacionale dhe ne duhet të sigurojmë që burimet tona të përputhen me ambiciet tona”,- thuhet në letrën e von der Leyen.